Liverpooli është skuadra e vetme me bilanc maksimal pas katër xhirove të para në Ligën e Kampionëve. Asnjë prej 35 skuadrave të tjera nuk kishte vetëm fitore në katër xhiro. Madje as kampioni në fuqi, Real Madridi.

Real Madridi ka dy fitore e dy humbje dhe është në mesin e tabelës me gjashtë pikë.

Pikët e radhës, shumë të rëndësishme për rangimin përfundimtar, madrilenët i kërkojnë të mërkurën nga ora 21:00 në “Anfield”. Përballë do ta kenë pikërisht Liverpoolin.

Për skuadrën e Carlo Ancelottit pritet të jetë ndeshje shumë e vështirë. Nën urdhrat e Arne Slot, Liverpooli po kalon formë të lartë. Udhëheq bindshëm në tabelën e Premier Leagues me 31 pikë nga 12 xhiro. Manchester City ka mbetur prapa tetë pikë.

Në fundjavë Liverpooli fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Southamptonit. Humbjen e fundit e ka pësuar më 14 shtator, 1:0 në shtëpi nga Nottinghami.

Prej atëherë ka lëshuar pikë vetëm në derbin ndaj Arsenalit, që përfundoi 2:2. Ndërkohë ka shënuar 13 fitore. Skuadra angleze është në seri prej pesë fitoreve.

“Real Madridi mund të fitojë në shumë stile dhe shumë mënyra. Për këtë edhe e ka fituar Championsin kaq shumë herë. Reali ka lojtarë shumë të mirë që mund të ndihmojnë skuadrën të gjejë rrugën për të fituar. Por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe e presim ndeshjen me optimizëm”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.

Ai e di që me një gol ndeshja nuk mbyllet.

“Nëse do të kemi fatin që të jemi në epërsi prej një goli, duhet të jemi të vetëdijshëm që ndeshja nuk mbyllet deri në fishkëllimën e fundit. Kjo ndihet edhe më shumë kur luan ndaj Real Madridit”, ka shtuar trajneri holandez.

Real Madridi ka lëshuar shumë pikë në fillim të edicionit në La Liga. Megjithatë, i është afruar Barcelonës së fundi. Barcelona udhëheq në tabelë me 34 pikë nga 14 ndeshje. Madridi i ka 30 pikë nga 13 ndeshje.

Në fundjavë Madridi fitoi 3:0 ndaj Leganesit. Në ndeshjen e parafundit kampionale kishte fituar 4:0 ndaj Osasunas. Por kishte pësuar 3:1 në Spanjë nga Milani më 5 nëntor, në ndeshjen e kaluar në Champions.

“Do të jetë ndeshje e vështirë. Jemi dy klube historike. Kemi karakteristikat tona dhe do të shohim kush do të imponojë stilin e lojës. Liverpooli është gjithnjë ekip shumë garues. Ishte me Kloppin dhe është tani me trajnerin e ri”, ka thënë trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti.

Ai pranon momentin e mirë të Liverpoolit.

“Liverpooli është paraqitur shumë mirë deri më tani, më mirë se ne në garën vendore. Por ne jemi kthyer tashmë dhe shpresojmë të luajmë lojë të mirë ndaj një kundërshtari të fortë. Në fund të edicionit të shpresojmë të jemi në majë, si zakonisht”, ka shtuar tekniku italian.

Cërvena Zvezda – Stuttgart dhe Sturm Graz – Girona janë ndeshjet që fillojnë në ora 18:45.

Prej orës 21:00, Juventusin e pret ndeshje e vështirë në udhëtim tek Aston Villa. Aston Villa i ka nëntë pikë, ndërsa Juventusi shtatë.

Skuadra e Edon Zhegrovës, Lille, shpreson të vazhdojë me formë të mirë, kur të përballet me Bolognan në Itali. 

Celtic – Club Brugge, Dinamo Zagreb – Dortmund, Monaco – Benfica, PSV – Shakhtar Donetsk janë ndeshjet e tjera që fillojë në ora 21:00.