Ylli i Milanit, Alvaro Morata, pranon se nuk ka parë kurrë diçka të ngjashme me Lamine Yamal dhe beson se ylli i Barcelonës mund të bëhet “lojtari më i madh në historinë e Spanjës.” Morata foli për The Athletic rreth transferimit të tij veror te Milani, sezonit të Rossonerëve dhe triumfit të Spanjës në Euro 2024.

Lamine Yamal, i cili luan për Barcelonën, pati një rol kyç në fitoren e ekipit spanjoll La Roja verën e kaluar. Morata nuk kurseu lavdet për bashkëkombasin e tij. “Është e vështirë të gjesh diçka të tillë tek një person i moshës së tij (17),” tha Morata. “Ai e ka shumë të qartë se çfarë dëshiron të arrijë.”

Morata shprehu admirimin për vendosmërinë e Yamal-it, duke e quajtur një talent të rrallë. “Ai ka shumë personalitet dhe i ka të gjitha mundësitë përpara. Sinqerisht, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Një seancë stërvitore ishte e mjaftueshme për të kuptuar që ai është ndryshe, që është një prej fenomeneve,” tha sulmuesi.

Në Euro 2024, Yamal dha katër asistime dhe shënoi një gol, të cilin e realizoi në gjysmëfinale kundër Francës, ku u përball me bashkëlojtarin e Moratës te Milani, portierin Mike Maignan.

“Çdo 20 ose 30 vjet shfaqen një ose dy si Cristiano dhe Messi. Për mua, ai i ka të gjitha cilësitë për të bërë histori. Jam i bindur që nëse nuk bëhet lojtari më i madh në historinë e Spanjës, do të jetë padyshim një nga më të mëdhenjtë,” vazhdoi Morata, duke shfaqur mbështetjen dhe besimin e tij të fortë në potencialin e Yamal-it.

“Ai tashmë ka bërë histori me ne duke fituar Euro-n. Ishte vetëm 16 vjeç kur filloi turneu, dhe shpresoj që ta vazhdojë këtë rrugë, sepse është bashkëlojtari im, sepse mund të më ndihmojë të fitoj më shumë trofe me kombëtaren dhe sepse fëmijët e mi duan ta takojnë, ta njohin, të shkojnë ta shohin në lojë dhe gjithçka tjetër,” përfundoi Morata.

Morata u bashkua me Milanin me një transferim të përhershëm nga Atletico Madrid verën e kaluar. Deri tani ka dy gola dhe dy asistime në 11 paraqitje për Rossonerët këtë sezon, ndërsa kontrata e tij me Milanin është e vlefshme deri në qershor 2028.

Të martën, më 5 nëntor, Morata pritet të jetë titullar për Milanin në ndeshjen ndaj ish-klubit të tij, Real Madrid, që do të zhvillohet në stadiumin Santiago Bernabeu.