Dinamo Bukureshti ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Gloria Buzau në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit rumun.

Vendimtar si shpeshherë këtë sezon për Dinamon ishte sulmuesi kosovar Astrit Selmani i cili sërish ishte protagonisti i tyre kryesor.

Selmani ishte autor i golit të vetëm që u shënua në këtë takim, e që në fund rezultoi të ishte i vlefshëm për tri pikët e radhës në kampionat.

Po luhej minuta e 52-të e takimit kur reprezentuesi kosovar gjeti rrjetën duke realizuar për 1-0.

Me këtë gol Selmani ka konfirmuar formën fantastike që po kalon këtë sezon teksa pas 17 ndeshjeve tashmë ai numëron nëntë gola të shënuar.

Përveç këtyre golave, ai gjithashtu ka kontribuar edhe me katër asistime duke u shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesor të ekipit.