Fitore të madhe ka shënuar skuadra e Borës në elitën e basketbollit kosovar, derisa ka shkaktuar njërën prej befasive më të mëdha të edicionit. 

Bora në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë të mërkurën mbrëma, ka fituar përballë Sigal Prishtinë me rezultatin 81:76, në ndeshjen e mbetur të xhiros së nëntë. 

Sfida ishte interesante dhe e barabartë, por që u vendos në sekondat e fundit. 

Me rezultatin 20:19, Bora e fitoi çerekun e parë, kurse Sigal Prishtina triumfoi në të dytin me 21:17. 
Mysafirët kishin epërsi prej tri pikëve në hyrje të çerekut të tretë, 40:37. 

Por, Bora i fitoi dy periudhat e mbetura, 24:17 dhe 20:19, duke i siguruar pikët që e largojnë nga vendi i fundit në tabelë. 

Bora me këtë fitore tani ka 17 pikë në vendin e shtatë, përkatësisht të parafundit. 
Ka katër fitore e nëntë humbje. 

Në pozitën e fundit bie Proton Cable Prizreni me tri fitore e dhjetë disfata. 

Sigal Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 18 pikë, pas gjashtë fitoreve e shtatë disfatave. 
Rrezart Memedi shkëlqeu te Bora me 24 pikë, shtatë kërcime e një asistim. 

Kontribut të madh në fitore dha edhe Adem Mekiq me 23 pikë, katër kërcime e nëntë asistime. 

Besnik Azemi pati 11 pikë e 11 kërcime, ndërsa kontribuoi edhe me një asistim, kurse Jetmir Zeqiri kishte 11 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime. 

Sigal Prishtinës nuk i ndihmuan 20 pikët, shtatë kërcimet e një asistim i Henrik Shirkos.