Jo pak bujë bëri një hartë e Evropës e paraqitur gjatë shortit të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Në hartën që është shfaqur për pak sekonda gjatë ceremonisë së shortit të mbajtur të premten në Zurich, Ukraina është paraqitur pa Krimenë, territorin që ia ka pushtuar Rusia.
Ukraina, që vazhdon të përballet me pushtimin rus, ka reaguar ashpër. Dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka kërkuar falje.

Ka pasur pretendime që edhe Kosova në hartë është paraqitur si pjesë e Serbisë. Por kjo në fakt nuk është e vërtetë.

Përmes një videoje, FIFA ka shpjeguar se si bëhet ndarja e përfaqësueseve evropiane nëpër grupet kualifikuese. Se cilat përfaqësuese do të jenë në grupet me katër ekipe e cilat me pesë dhe cilat sfida nuk lejohen.

“Të tjera fakte duhet të merren për bazë. Raportet ndërkombëtare, moti dimëror dhe udhëtimet e gjata mund të ndikojnë se në cilin grup do të jenë përfaqësueset, pavarësisht shortit”, thuhet në shpjegimin e FIFA-s derisa paraqitet harta që u kritikua ashpër nga ukrainasit.

Për arsye politike, FIFA e UEFA nuk lejojnë përballjet Bjellorusi – Ukrainë, Gjibraltar – Spanjë, Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë – Serbi. Dhe derisa ka treguar për përfaqësueset që nuk mund të jenë në të njëjtin grup, FIFA ka paraqitur hartën e Evropës, duke i dalluar me ngjyrë tjetër vendet që nuk mund të përballen. Kosova, Serbia e Bosnjë-Hercegovina janë paraqitur së bashku, Ukraina e Bjellorusia së bashku dhe Spanja e Gjibraltari së bashku, ndonëse Gjibraltari i vogël as që vërehet në hartën e paraqitur nga FIFA.

Kjo ka bërë që të ketë interpretime që FIFA e ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë.

Në këtë hartë Ukraina është paraqitur pa Krimenë e aneksuar prej Rusisë. Krimeja është paraqitur me ngjyrë tjetër dhe kjo është pranuar rëndë nga ukrainasit.  Për këtë FIFA ka kërkuar falje.

“Ne e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Derisa incidenti ishte i paqëllimshëm, shprehim keqardhje të sinqertë për çdo shqetësim që mund të kemi shkaktuar”, ka shkruar shefi i FIFA-s për federatat nacionale, Elkhan Mammadov, në një letër të publikuar të dielën nga Federata ukrainase e futbollit.

Kosova e Ukraina ishin në mesin e 54 përfaqësueseve që ishin në shortin e kualifikimeve për Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Rusia nuk ishte pjesë e shortit dhe nuk do të jetë në kualifikime. Ka disa vjet që Rusia është larguar nga garat ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës.  Rusia e pushtoi territorin e Krimesë në vitin 2014.

“A jeni mirë FIFA”?, shkroi zëdhënësi i Qeverisë së Ukrainës, Heorhii Tykhyi, në një postim të shtunën.
“Ne rregulluam hartën për ju dhe presim falje publike”, vazhdoi shkrimin ai.

Zyrtari i FIFA-s, Mammadov, u arsyetua se harta ishte ofruar nga një furnizues i jashtëm. Ai tha se FIFA po shqyrton se si në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla.

Kosova në kualifikimet e Botërorit është në grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë. Vetëm për herë të dytë prej se ka nisur të paraqitet në kualifikime, Kosova nuk ka në grup përfaqësuese të shteteve që nuk njohin shtetin e Kosovës. Ukraina i ka në grup Islandën, Azerbajxhanin dhe Francën apo Kroacinë.

Në Ukrainë, njëjtë si në Kosovë, janë shumë të ndjeshëm lidhur me mënyrën se si prezantohet territori i saj nga organizatat ndërkombëtare,  sidomos nga FIFA e UEFA.

Pjesa ku në mënyrë grafike paraqitet harta e kontestuar është larguar ndërkohë nga FIFA në videon e shortit. Videoja mund të shikohet në faqen e FIFA-s, por pa pjesën e kontestuar.