Trajneri serb i Partizanit të Tiranës, Aleksandar Veselinoviq, ka bërë një analizë të Kombëtares së Shqipërisë në futboll, pas shortit të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Shqipëria e Serbia janë në një grup dhe do të përballen gjatë vitit të ardhshëm. Veselinoviq fillimisht ka vlerësuar Serbinë e më pas foli për Shqipërinë.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm që reprezentacioni i Shqipërisë ka përparuar në mënyrë drastike. Është ekip shumë më i mirë se që ishte për shembull dhjetë vjet më parë. Liderët e ekipit luajnë rol të rëndësishëm në ekipe si Lazio, Napoli, Beshiktash… Nëse analizohet pak më thellësisht, do të kuptohet që bëhet fjalë për lojtarë të nivelit më të lartë. Përparimi është evident. Në Evropian,m Shqipëria ishte në grup shumë sfidues, por ishte rivale e dinjitetshme për të gjithë. Në Ligën e Kombeve po ashtu nuk kishte short të favorshëm, ndërsa i mungoi vetëm një pikë për kalim në rang më të lartë”, ka thënë Veselinoviq për “Meridian Sport”.
Ai ka bërë krahasim të Shqipërisë me Bullgarinë.
“Nëse shikojmë vendet tjera nga regjioni, për shembull Bullgarinë ndaj të cilës ka luajtur Serbia në kualifikimet për Evropian, do të kuptohet që Shqipëria është nivel dukshëm më i lartë. Gjithnjë e më shumë ka reprezentues që janë pjesë e klubeve të nivelit superior evropian”, ka shtuar trajneri serb.
Edhe portieri i Serbisë, Gjorgje Petroviq ka thënë se Shqipëria ka përparuar shumë.
“Duam të mendojmë vetëm anën sportive, dhe nga kjo anë është Kombëtare që ka përparuar shumë. Ishte pjesë e Evropianit që tregon mjaftueshëm për kualitetin e Shqipërisë”, ka thënë Petroviq.
Ai megjithatë pret që Serbia të kualifikohet në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada.