Ashtu si pritej, Peja ka shënuar fitore ndaj Borës së Prishtinës.
Të dielën mbrëma në “Karagaçi”, në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll, Peja fitoi me rezultat 76:64.
Pas çerekut të parë të barabartë, pejanët nisën shkëputjen në çerekun e dytë dhe këtë e vazhduan edhe në çerekun e tretë. Çereku i fundit shërbeu vetëm për konfirmimin e fitores së Pejës.
Jasquez Yow shkëlqeu te Peja me 19 pikë, dhjetë kërcime e pesë asistime.
Danys Lukashov i shtoi 12 pikë, pesë kërcime e katër asistime. Jonathan Galloway kontribuoi me shtatë pikë e 11 kërcime, ndërsa Dardan Berisha shtoi 12 pikë.
Alex Lomax u dallua te Bora me 15 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. 14 pikë i kishte Adem Mekiq.
Peja tani ka bilanc prej pesë fitore e pesë humbje dhe renditet e treta. Bora mbetet e fundit me bilanc prej një fitore e nëntë humbje. Ka një ndeshje më pak të zhvilluar.