Proton Cable Prizreni ka shënuar fitore të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të dielën, Prizreni fitoi 80:70 ndaj Vëllaznimit të Gjakovës. Ndeshja u zhvillua në Prizren dhe i takoi xhiros së 11-të.

Çerekun e parë e fituan gjakovarët, ndërsa të dytin vendasit. Pas pjesës së parë rezultati ishte 37:36 në të mirë të Vëllaznimit.

Ndeshja u vendos në çerekun e tretë të cilin Proton Cable Prizreni e fitoi 24:16. Në çerekun e katërt prizrenasit vetëm e konfirmuan fitoren.

Lenzelle Smith udhëhoqi Prizrenin me 25 pikë, dhjetë kërcime e tetë asistime. Darryl Jordan i kishte 19 pikë e shtatë kërcime. Edmond Kryeziu shtoi 20 pikë e tri kërcime.

Vetëm pesë lojtarë të ekipit prizrenas kishin pikë të shënuara.

Trey Anderson ishte më i miri te Vëllaznimi me 16 pikë e 12 kërcime.

Michael Nuga i kishte 15 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.

Proton Cable Prizreni i ka 14 pikë në vendin e shtatë. Ka bilanc prej tri fitore e tetë humbje. Vëllaznimi është i gjashti me 15 pikë, ndërsa ka katër fitore e shtatë humbje.