Trofeun e vetëm në karrierë Astrit Selmani e ka fituar me Hammarbyn në futbollin suedez.

Hammarby në vitin 2021 e kishte fituar Kupën e Suedisë, ndërsa prej më të mirëve në skuadër ishte sulmuesi tani 27-vjeçar. Selmani, që ka pesë ndeshje me Kosovën, është zhvilluar si futbollist në Suedi, te Olympicu, Angelholmsi, Kristianstadi, Rosengardi, Tornsi e Varbergsi. Në janar të vitit 2021 ishte transferuar te Hammarby, skuadër me të cilën kishte realizuar 21 gola e 14 asistime në 57 paraqitje.

Më pas pati periudhë jo shumë të suksesshme te Midtjyllandi, Hapoel Beer Sheva e Goteborgu. Kryesisht luajti si i huazuar, ndërsa në shkurt të këtij viti e kompletoi transferimin te Dinamo e Bukureshtit, si futbollist i lirë.

Te skuadra rumune, që ka 18 tituj kampioni e 13 Kupa të Rumanisë, Selmani ka gjetur formën. Aktualisht është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe po lufton për titull kampioni.

Në një intervistë për mediumin rumun “Fanatik.ro”, Selmani ka thënë se objektivi fillimisht është paraqitja në plejof.

“Po ndihem mirë. Kam luajtur mirë dhe jam krenar që Dinamo është lart në tabelë, aty ku e ka vendin. Për mua është eksperiencë e re dhe e mirë këtu. Para se të vija, e dija se ky është klubi madh, me shumë përkrahës në gjithë shtetin dhe gjithë botën po ashtu”, ka thënë Selmani.

Ai ka treguar se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe se synimi mbetet i përbashkët, fitimi i ndonjë trofeu.

“Pritshmëritë nga fillimi ishin të larta. Dhe mendoj se për momentin gjërat po shkojnë mirë, të gjithë janë të bashkuar dhe është gjë e mirë. Kur je në vendin e parë kjo ndjenjë të pëlqen. Por, shpresoj ta mbajmë formën e mirë dhe të arrijmë në plejof, dhe më pas të mendojmë për pozitat më të mira. Dinamo është klub i madh por gjithçka mund të ndodhë. Dua ta vazhdoj formën e mirë e të jem me shëndet të mirë, kjo është gjëja kryesore”.

Selmani nuk e ka lënë pa i përmendur edhe incidentet që ndodhën më 15 nëntor në Bukuresht, në ndeshjen e Grupit C2 të Ligës së Kombeve mes Rumanisë e Kosovës.

Ndeshja ishte ndërprerë pak pa përfunduar, pas thirrjeve “Serbi, Serbi” nga tifozët vendës. Kapiteni Amir Rrahmani dhe lojtarët e tjerë iu drejtuan zhveshtores, për të mos u kthyer më në fushë. UEFA më pas vendosi që fitorja t’i takojë Rumanisë me rezultat zyrtar 3:0, kurse ankesa në CAS kanë bërë të dy federatat. Federata rumune u gjobit me 128 mijë euro dhe një ndeshje pa praninë e shikuesve.

Pavarësisht situatës Rumani – Kosovë, Selmani thotë se në skuadër nuk ka pasur telashe.

“Për fat të mirë, nuk ka pasur ndryshime për mua. Po kënaqem me jetën këtu, njësoj si familja ime. Madje njerëzit më kanë bërë të ndihem edhe më i afërt me ta. Nuk shoh ndryshime, njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Më kanë pyetur se si ndihem. Njerëzit flasin dhe spekulojnë. Ju kam thënë se më pëlqen jeta këtu. Nëse nuk do të ishte kështu nuk do të kisha paraqitje të mira. Të gjithë janë të mirë me mua dhe familjen time”, ka deklaruar Selmani.

Përveç ringjalljes së karrierës, Selmani ka fituar shumë edhe në aspektin financiar.

Në dhjetë muaj paraqitje në Rumani, paga e tij vjetore nga 350 mijë euro është rritur në 1 milion e 200 mijë euro.