Mevlan Zeka flet me shumë dëshirë për sukseset në Kosovë. Tregon për trofetë që ka fituar. Por edhe me më shumë emocion flet për atë që synon të arrijë. Si 30-vjeçar madje.
“Ëndrra ime ka qenë që të bëj një lëvizje jashtë Kosovës. Kam dëshirë që gjithë sakrifica të më shpërblehet”, tha Zeka të martën për KOHËN.
“Janë interesuar dy ekipe nga jashtë, por kartonin e ka klubi. Janë në bisedime të avancuara, por do të shohim. Unë nuk kam çka të humb më, nuk jam talent. Duhet të bëj një lëvizje. Jam gati”.
Ai flet hapur për ofertat që ka në tavolinë.
“Në Hungari dhe një ofertë në Indi. Ende nuk ka zyrtare, por ka bisedime mes menaxherëve dhe klubeve”, thekson Zeka, i cili të martën shënoi golin e dhjetë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll.
Zeka shënoi golin për 1:0 në fitoren e thellë të Suharekës, 4:0, ndaj Llapit.
Për ta realizuar ëndrrën që të luajë në ndonjë klub jashtë Kosovës, Zeka ka autorizuar tre menaxherë.
“Një menaxher në Azi, një në Rumani dhe në disa shtete dhe një për Hungari. Të tre menaxherëve ua kam dhënë autorizimin. Uroj që edhe klubi të ketë përfitim dhe të na përshtatet si mua ashtu edhe klubit”, është shprehur ai.
Njëri prej kapitenëve të Suharekës ka bërë disa lëvizje në karrierë. Por të gjitha lëvizjet i ka bërë brenda Kosovës. Insiston se është gati për të bërë hapin e radhës.
Gjakovari ka luajtur për Vëllaznimin, Feronikelin, Lirinë, Ballkanin, Gjilanin.
Ka kontribut në sukseset e Feronikelit, skuadër me të cilën ka fituar dy tituj, Kupën dhe Superkupën. Një titull e ka fituar me Ballkanin.
“Jam i kënaqur me arritjet e mia. I kam bërë 30 vjet dhe kam ende kohë për t’u dëshmuar”, ka thënë Zeka.
Ai pranon se nuk meriton të jetë më i miri i vitit në Kosovë. Por thotë se meriton të jetë pjesë e formacionit më të mirë të vitit 2024.
“Qe katër vjet kam një vazhdimësi të ndeshjeve të mira. Te Gjilani kam qenë golashënuesi më i mirë dhe arritëm të paraqitemi në garat evropiane, pastaj vendosa të luaj në Ligën e Parë me Suharekën, skuadër me të cilën avancuam në Superligë dhe shpejt besoj do të paraqitem në garat evropiane. Me Suharekën arritëm të jemi në gjysmëfinale të Kupës. Uroj të më shpërblehet në fund të vitit, duke zënë vend në 11-shen e vitit në Kosovë. Nuk meritoj të jem më i miri, por në mesin e më të mirëve besoj se e meritoj. Viteve të kaluara më është bërë edhe e padrejtë. Kam merituar të jem në formacionin e vitit, por i respektoj zgjedhjet që janë bërë. Por po besoj që këtë vit do ta ma japin hakun”, thotë Zeka.
Zeka iu bashkua Suharekës në Ligën e Parë. Ndihmoi skuadrën të promovohet në Superligë. Aktualisht Suhareka ka 22 pikë dhe është në vendin e pestë në tabelë. Suhareka në mesjavë siguroi kualifikimin në një të tetën e finales të Kupës së Kosovës.
“Kam luajtur në kualifikime të Ligës së Konferencës, Ligës së Evropës dhe në Ligën e Kampionëve. Kam shënuar dy gola për Feronikelin në kualifikimet e Championsit. Uroj që Suhareka të dalë në Evropë. Meriton të jetë në mesin e ekipeve që mund të dalin në Evropë”, ka thënë Zeka.
Deri në fund të stinorit vjeshtor kanë mbetur edhe dy xhiro. Mund të jenë edhe dy ndeshjet e fundit të Zekës në Kosovë. Ai me Suharekën ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Por mund të largohet në janar.