Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, ka lavdëruar ekipin e tij pas fitores 3:0 ndaj Salzburgut. Ndeshja e së martës mbrëma i takoi xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve. Por Enrique ka tërhequr vërejtjen se Parisi duhet të përmirësohet ende nëse dëshiron të mbetet në garën elitare evropiane për klube të futbollit.
Lideri i Ligue 1 të Francës kishte start të tmerrshëm në Champions. Pësoi nga Atletico Madridi, Bayerni dhe Arsenali.
Tani parisienët i kanë shtatë pikë nga gjashtë ndeshje, ndërsa vendimtare për vend në plejof do të jenë dy xhirot e fundit. Kualifikimi direkt në një të tetën e finales nuk është temë te Parisi.
“Futbolli ndonjëherë është sport goxha i padrejtë. Klasifikimi është shumë i përafërt dhe një gol mund të bëjë dallimin. Ne ende kemi dy ndeshje për të luajtur dhe akoma mund të eliminohemi”, ka thënë Enrique.
“Kjo nuk ishte ndeshje më e mirë se ndaj PSV-së apo Atletico Madridit. Do të thosha që ishte më e keqe, por ky është futbolli. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi dhe skuadra nuk ka ndryshuar shumë. Na duhen pikët dhe do të provojmë të fitojmë ndeshjet e ardhshme”, ka shtuar Enrique.
Trajneri ka veçuar Nuno Mendesin, që shënoi golin e dytë në ndeshjen e së martës mbrëma.
“Nuno ofron shumë zgjedhje me kualitetet fizike dhe teknike që ka. Ai mund të luajë në pozita të ndryshme. Ai po luan në nivel të lartë aktualisht. Ofron shumë në aspektin ofensiv. Por kjo mund të ndryshojë”.
Enrique tani e kthen vëmendjen te ndeshja ndaj Manchester Cityt të Pep Guardiolas, që është më 22 janar. Shtatë ditë më pas, Parisi e ka ndeshjen e fundit në fazën e ligës ndaj Stuttgartit.
“Nuk i kemi pikët që do të duhej t’i kishim. Ishte me rëndësi të shënonim në këtë ndeshje pasi për një gol mund të eliminohesh nga Liga e Kampionëve. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Tani koncentrohemi te ndeshja me Cityn”, ka thënë Enrique.
Në Ligue 1, PSG-ja po marshon drejt titullit të ri. Por, ndryshe është gjendja e klubit francez në garën evropiane.