Selektori i Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq ka folur për ndeshjet me Shqipërinë, pas shortit të tërhequr të premten në Zurich.

Shqipëria e Serbia janë në një grup në kualifikimet për Botërorin 2026. Në Grupin K janë edhe Anglia, Letonia dhe Andorra.

Sipas Stojkoviqit, serbët nuk ka gjasa të merren me diçka tjetër pos futbollit. Ndeshja e kaluar në Beograd mes Serbisë e Shqipërisë ka mbetur në kujtesë për dhunën e vendasve, por edhe qëndrimin heroik të lojtarëve të Shqipërisë.

“Grup shumë sfidues. Shqiptarët në kohën e fundit kanë treguar përparim shumë të madh në lojë dhe sigurisht do të jenë kundërshtarë të papërshtatshëm. Më gëzon fakti që do të luajmë në Tiranë në stadiumin e bukur ku u zhvillua edhe finalja e Ligës së Konferencës. Jam i vetëdijshëm që për opinionin këto dy ndeshje do të jenë interesant për arsye të tjera. Sa na takon neve, nuk vjen në konsideratë asgjë që nuk ka të bëj me futbollin. Rrëfim vetëm sportiv, sfidë e madhe dhe mundësi për dy paraqitje kualitative të futbollit”, ka thënë Stojkoviq për sajtin zyrtar të federatës serbe.