Trajneri i ri i Ballkanit, Orges Shehi, i cili u zyrtarizua te suharekasit të premten pas largimit të Artim Pollozhanit, ka debutuar me barazim në Superligën e Kosovës në futboll. 

Ballkani të dielën në terrenin me bar sintetik në Ferizaj, barazoi 1:1 me Ferizajn, në ndeshjen e xhiros së 16-të. 

Për suharekasit është ndeshja e katërt rresht pa fitore. I ka dy humbje, atë nga Drita në Superligë dhe nga Rilindja në Kupën e Kosovës, ndërsa ka barazuar edhe me Prishtinën. 

Ferizaj nga ana tjetër e regjistroi barazimin e tretë rresht në Superligë, ndërsa në Kupë avancoi pasi fitoi ndaj Ramiz Sadikut. 

Walid Hamidi shënoi për Ballkanin në minutën e 24-t, kurse Abdeen Abdul i Ferizajt, e vendosi rezultatin përfundimtar pas golit të shënuar në minutën e 84-t. 

Ballkani mbetet në pozitën e tretë me 27 pikë, dhjetë më pak se liderja Drita, dhe dy më pak se Malisheva e vendit të dytë. 

Ferizaj ngjitet në pozitën e tetë me 17 pikë, falë goldallimit më të mirë se Dukagjini, që ka po ashtu 17 pikë, por zë vendin e parafundit. 

Pikë të njëjta ka edhe Llapi në vendin e shtatë. 

Llapi të martën luan në udhëtim te Suhareka.