(The Telegraph) – Superliga Evropiane është rikthyer, tani e riemërtuar si “Unify League” (Liga e Unifikuar), dhe e gatshme për të sfiduar avantazhin e UEFA-s në Ligën e Kampionëve me pretendimin se do të jetë falas për t’u parë.
Propozimi i ri, i cili vjen pas propozimeve origjinale për Superligën e Evropës në futboll në prill 2021, nuk përfshinë idenë që disa klube të kualifikohen automatikisht gjatë çdo viti.
Në vend të kësaj ka një kualifikim vjetor të propozuar për të katër ligat brenda Ligës së Unifikuar.
Propozimi është bërë nga A22 Sports, që qëndron prapa idesë për “Unify League”.
Kjo është një kompani me bazë në Madrid, e krijuar për të këshilluar Superligën origjinale Evropiane. Ka lidhje të ngushta me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez.
Gara do të transmetohej përmes një platforme të markës “Unified”. Ndeshjet do të transmetoheshin përmes një aplikacioni, model i ngjashëm me Netflix.
Ata që regjistrohen do të mund të shikojnë ndeshje falas, me një nivel relativisht të lartë të përmbajtjes reklamuese, apo të paguajnë për një abonim që do të eliminonte reklamat. Në këtë mënyrë funksionojnë edhe shumë aplikacione të tjera.
Kompania e Superligës Evropiane dhe A22 tani do t’i kërkojnë UEFA-s leje për të operuar, përkatësisht për të nisur me garën.
A22 beson se UEFA është e detyruar të japë lejen, sipas vendimi të dhjetorit të vitit të kaluar nga gjykatat evropiane.
Propozimi është që të garojnë 96 klube të futbollit, që është më pak se 108 klube sa paraqiten në fazat grupore të tri kompeticioneve të UEFA-s, përfshirë Ligën e Kampionëve.
Kampionët e “Unify League” do të shpalleshin nga dy nivelet e para, “Star League” dhe “Golden League”.
Të dy ligat do të kishin nga 16 skuadra, të ndara në dy grupe me nga tetë skuadra. Nëse ideja realizohet, secila prej tetë skuadrave do të luajë shtatë ndeshje në shtëpi e shtatë në udhëtim në fazën e grupeve. Dy ekipet e para në të gjitha katër grupet do të kalonin tutje.
Faza e fundit do të fillonte me çerekfinalen, që do të zhvillohej në dy ndeshje. Gjysmëfinalja do të zhvillohej me një ndeshje, në javën kur do të zhvillohej edhe finalja dhe në terren neutral.
Kjo do të thoshte që kampioni do të luante 18 ndeshje gjithsej.
Dy ligat tjera që parashihen në projekt, “Blue” dhe “Union”, do të luanin një format të ngjashëm me eliminim.
Superliga Evropiane ishte paraqitur si projekt i 12 klubeve të mëdha evropiane, gjashtë prej tyre nga Premier League. Versioni aktual ka mbështetje të qartë vetëm nga Real Madridi dhe Barcelona.
UEFA kishte reaguar ashpër në propozimin dhe ideja nuk u realizua asnjëherë. UEFA ka bërë ndryshime edhe në Ligën e Kampionëve dhe insiston që ta ketë e vetme të drejtën e organizimit të garave evropiane për klube të futbollit.
John Hahn, bashkëthemelues i A22, tha: “Kemi dëgjuar me vëmendje një grup të madh klubesh, ligash dhe tifozësh. Me ndryshimet që kemi bërë besojmë se kemi shumë mbështetje. Nuk e presim mbështetjen publike të klubeve në këtë moment. Ajo do të vijë natyrshëm pas njohjes zyrtare të ‘Unify League’”.
Ai shtoi se pagesa për të parë ndeshjet do të ishte shumë më e lirë se që është sot.