Agron Dida do të jetë kryetar i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) me mandat katërvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për dy mandate tjera.

Dida në këtë post është zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur të shtunën, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër, sikur edhe që nuk ka pasur kundër kandidat.

“Ju falënderoj të gjithëve për besimin e dhënë, ndërsa ajo që mund t’u them tash është se do ta jap maksimumin tim për të mirën e auto sportit të Kosovës. Nuk duhet të japim premtime të mëdha, por duhet të punojmë shumë. Do të angazhohemi për avancimin e këtij sporti në rrafshin vendor dhe ndërkombëtar. Do të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha institucionet, në veçanti me të MKRS-në për të nisur dhe realizuar sa më parë idenë e ndërtimit të pistës së mbyllur”, ka thënë Dida pasi është zgjedhur kryetar i FASK-ut.

Ai ka shtuar se mënyra e vetme për t’i realizuar synimet është vetëdijesimi i të gjithë anëtarëve të komunitetit të auto sportit, me trajnime, seminare e përkushtim maksimal.

Në postin e nënkryetarit janë zgjedhur Menduh Daka dhe Gazmend Gashi, ndërsa anëtarë të Bordit janë edhe Artan Hajredini, Blerim Gashi, Bujar Hyseni, Faton Hyseni dhe Shyqeri Zatriqi.

Është zgjedhur edhe Këshilli Mbikëqyrës, në përbërje: Nexhat Kovaçi, Batije Shala dhe Muhamed Morina.

Deri tash, për 12 vjet, kryetar i kësaj federate ka qenë Ismet Rexhepi.