Transferimi i ri i Manchester Cityt, Omar Marmoush, që përshkruhet si “djaloshi i artë” nga Mohamed Salah, do të mundohet që të ketë karrierë po aq të suksesshme sa bashkëlojtari i tij tek Egjipti – pasi kompletoi transferimin në Premier League. City do të mbështetet te sulmuesi i disa pozitave, i cili u transferua nga Eintracht Frankfurti me kontratë katër vjet e gjysmë. Ai u zyrtarizua të enjten te klubi që po kalon edicion dëshpërues. Kampioni në fuqi i Anglisë ka mbetur 12 pikë prapa liderit, Liverpoolit.
Mediet britanike kanë raportuar se marrëveshja ka kushtuar afro 70 milionë euro, plus bonuse.
Aftësitë e Marmoushit duhet ta ndihmojnë Cityn, që ndryshe nga edicionet e kaluara, ka hasur në vështirësi të shumta edhe në fazën e sulmit, pavarësisht se ka shumë talente brenda skuadrës.
25-vjeçari, që fillimisht u përdor si sulmues qendror e më pas u përshtat edhe në krah, ka pasur paraqitje të shkëlqyera në edicionin e dytë tek Eintracht Frankfurti. Ka shënuar shumë gola.
Me 15 gola të realizuar, Marmoush ishte golashënuesi i dytë më i mirë në Bundesligë, me një gol më pak se Harry Kane i Bayern Munichut.
Marmoush ka shënuar gola me lëvizje të mira në zonë, me gjuajtje nga distanca, e po ashtu edhe me driblime tejet të mira.
Këto aftësi kanë bërë që ai të krahasohet me Salahun e Liverpoolit, që po ashtu është duke shkëlqyer me 18 gola e 13 asistime në Premier League, në 21 ndeshje të luajtura.
Salah vitin e kaluar kishte bërë me dije se krahasime të tilla mund ta fusin nën presion Marmoushin, ndërsa kishte thënë se bashkëlojtari tek Egjipti duhet “të vazhdojë në rrugën e vet”.
“Salah është lojtari më i mirë në historinë e Egjiptit. Ne gjithmonë flasim dhe gjithmonë tentoj të mësoj nga eksperiencat e tij”, ka thënë ai për televizionin egjiptian DMC.
“Por në të njëjtën kohë, dua që ta krijoj tregimin tim”.
Karriera e Marmoushit ka nisur te të rinjtë e Wadi Deglas në Egjipt, skuadër me bazë në Kairo e me bazë modeste të tifozëve.
Ish-sulmuesi i Egjiptit dhe Tottenhamit, Mido, i cili ishte trajner i Deglas në atë kohë, kishte parashikuar në vitin 2016 se Marmoushi do të jetë “befasia e futbollit egjiptian”.
“E kam parë atë duke luajtur që nga fillimi, ka qenë gjithmonë i motivuar. Tregimi i tij është frymëzues”, ka thënë Mido në muajin nëntor.
Marmoushi rrugëtimin në Evropë e nisi në vitin 2017 kur iu bashkua Wolfsburgut. Ai luajti për ekipin U23 para se të debutonte në Bundesligë në fitoren 4:1 ndaj Bayer Leverkusenit në maj të vitit 2020.
Kohë si i huazuar kaloi te St. Pauli dhe Stuttgarti, ndërsa vitin 2023 iu bashkua Frankfurtit si futbollist i lirë. I shënoi 12 gola në ligë në kampanjën e parë dhe e siguroi me ekipin vendin në Ligën e Evropës.
Në nivel përfaqësuesesh, Marmoushi debutoi tek Egjipti nën drejtimin e trajnerit Carlos Queiroz me supergol, në fitoren 1:0 ndaj Libisë në tetor të vitit 2021. Ndeshja ishte kualifikuese për Kupën e Botës 2022. Ai ka realizuar gjashtë gola në 35 paraqitje për shtetin e tij.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, do të shpresojë që ai ta vazhdojë formën e njëjtë dhe bashkë të arrijë suksese në edicionin dëshpërues deri tani.