Borussia Dortmundi është befasuar nga skuadra që po lufton për mbijetesë në Bundesligën e Gjermanisë, Holstein Kieli. Skuadra e drejtuar nga Nuri Shahin, të martën pësoi disfatë 4:2, në kuadër të javës së 17-të të elitës së futbollit gjerman. Është disfata e dytë rresht. Javën e kaluar humbi edhe nga Bayer Leverkuseni, ku lider i mesfushës është Granit Xhaka.

Holstein Kieli e mbylli me rezultat 3:0 pjesën e parë. Golin e parë e shënoi Shuto Machino në minutën e 27-të, të dytin Phil Harres në minutën e 32-të dhe për 3:0 realizoi Alexander Bernhardsson në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë. Më pas, Dortmundi në pjesën e dytë shënoi dy gola për ta ngushtuar në 3:2. Giovanni Reyna në minutën e 71-të shënoi për 3:1, ndërsa gjashtë minuta më vonë Jamie Gittens shënoi për 3:2. Ndonëse me një lojtarë më pak në fushë pas përjashtimit të Lewis Holbyt në minutën e 86-të,  Holstein Kieli i shënoi edhe një gol Dortmundit. Golin për 4:2 e shënoi Jann-Fiete Arp në minutën e tetë shtesë të fundit të ndeshjes.

Dortmundi ka fituar 25 pikë nga 17 ndeshje, kurse Holstein Kieli zë vendin e parafundit.