Në fund të prillit të vitit të kaluar, Kastrioti i Ferizajt e fitoi Kupën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Më pas luajti dy ndeshje të forta me Sloboda Tuzlan e Bosnjë-Hercegovinës në raundin e parë të Kupës Evropiane. Stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës e përfundoi në vendin e tretë, me pikë të barabarta me skuadrën e vendit të dytë.

Dhe në prag të stinorit pranveror, klubi ferizajas po kalon krizë të thellë. Xhiroja e parë e stinorit pranveror është planifikuar të fillojë më 1 shkurt. Por skuadra ferizajase ende nuk ka nisur stërvitjet. Dhe mbetet pikëpyetje nëse ato do të fillojnë.

Të dielën lojtarët kanë pasur takim me njërin prej pak personave që kanë mbetur në udhëheqje të klubit. Nuk morën sinjale se kriza do të kalohet. Kështu kapiteni Rron Ramadani bëri një reagim publik që është shpërndarë edhe nga lojtarët e tjerë të Kastriotit.

Ramadani, që është pjesë e përfaqësueses së Kosovës, ka shkruar se klubi është në krizë funksionale dhe pa adresë.

“Kryesia e deritanishme përpos obligimeve të papërfunduara nga sezoni i kaluar, tashmë ka javë që nuk ka gjetur rrugën dhe komunikimin e duhur me lojtarët drejt fillimit të rregullt të stërvitjeve dhe sezonit të ri. Klubi i qytetit duhet të jetë parim për të gjithë, duke tejkaluar interesat e secilit individ apo grup njerëzish. Duke shpresuar për një zgjidhje në ditët e fundit para fillimit të sezonit të ri, si kapiten i skuadrës e ndiej për obligim ta bëj këtë njoftim publik rreth gjendjes aktuale në klub, duke njoftuar kështu nivelin komunal, bordin drejtues të klubit dhe gjithë juve dashamirës dhe mbështetës të klubit”, ka shkruar Ramadani.

Kriza në fakt ka nisur që në verë. Por lojtarët janë pajtuar të vazhdojnë, ndonëse në momente klubi ua kishte deri në tri rroga borxh. Aktualisht ndaj lojtarëve janë dy paga borxh.

Por edhe ndarjet në kryesinë e klubit kanë pasur ndikim, ka mësuar KOHA. Anëtarët e kryesisë janë larguar njëri pas tjetrit dhe aktualisht në klub kanë mbetur dy udhëheqës.

Dhe situata nuk duket shumë shpresëdhënëse.

Kastrioti apo Borci i dikurshëm është prej klubeve më të suksesshme në histori të sportit kosovar. Në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar luajti edhe në ligën elite të ish-shtetit federativ.
Por në dekadën e fundit përballet çdo dy-tre vjet me kriza të thella.

Kriza e Kastriotit është në shpërputhje me vërtetimet që ky klub mori gjatë vitit të kaluar për të realizuar marrëveshje të sponsorizimit. KH Kastrioti vjet ka pranuar vërtetime për të realizuar të hyra nga sponsorizimi prej 128 mijë e 800 eurosh.

Ka dyshime se shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk janë realizuar dhe kjo ndikoi që të paraqitet kriza.

Ngjashëm i ndodhi edhe KH Trepçës. Në vitin 2023, Trepça e fitoi Kupën e Kosovës dhe më pas luajti ndeshje të forta në Evropë. Në pjesën e parë të kampionatit të kaluar u mbajt mirë, ndërsa në pjesën e dytë pati telashe të mëdha. Sidomos stinori vjeshtor i këtij edicioni ishte shumë i vështirë për ekipin me nam nga Mitrovica.