Dinamo e Zagrebit u mposht 3:0 të mërkurën mbrëma në xhiron e shtatë të Ligës së Kampionëve në udhëtim tek Arsenali.
Declan Rice në minutën e dytë, Kai Havertz në minutën e 66-të dhe Martin Odegaard në minutën e 91-të, shënuan për fitoren bindëse të “revolveristëve”.
Pas kësaj disfate, skuadra e madhe kroate e ka shumë të vështirë arritjen e fazës nokaut.
Ndoshta edhe fitorja në xhiron e fundit kundër Milanit në “Maksimir”, nuk do të ishte e mjaftueshme.
Dinamo është i 26-ti në tabelë me tetë pikë. Skuadrat deri në vendin e 24-t e sigurojnë avancimin në fazën nokaut të Championsit.
Kapiteni Arijan Ademi luajti deri në minutën e 59-të.
“Ishte humbje e rëndë për ne dhe fitorja e Arsenalit ishte e merituar, e uroj për këtë. Ne kemi folur se sa e rëndësishme ishte që të mos pranonim gol në 15-20 minutat e para. Pranuam gol që në minutën e dytë. Pastaj gjërat u komplikuan, sidomos kur luan ndaj një ekipi të tillë. Por, mund të them se ne reaguam mirë dhe e morëm lojën nën kontroll. Kështu të paktën e shoh unë. Kishim disa shanse të mira, por ndaj ekipeve të tilla duhet të shënosh së pari për të kërkuar më shumë. Nuk ia arritëm”, ka deklaruar pas ndeshjes Ademi, shkruan “Index.hr” të enjten.
Ademi, që luan si mesfushor defensiv, thotë se ndaj Milanit mund të arrihet fitorja.
Ai ka folur edhe për kërkesat taktike të trajnerit të ri, Fabio Cannavaro.
“Do të hyjmë në lojë për fitore, mund ta arrijmë këtë. Duhet të kualifikohemi dhe këtë do ta shfaqim në fushë. Ka shumë kërkesa taktike nga trajneri dhe po punojmë në atë drejtim. Besoj se do të dukemi mirë në duelin ndaj Milanit”, ka thënë Ademi.
Ademi u zëvendësua për shkak të një lëndimi. Ai ishte goditur në pulpë pas gjuajtjes së Oleksandr Zincehnkos.
Te Dinamo nga minuta e 75-të u aktivizua Arbër Hoxha.
Ndërkohë, tek Arsenali në bankën rezervë ishte mbrojtësi premtues, 19-vjeçari Maldini Kacurri.