Club Brugge është i pamposhtur në 19 ndeshje. Në qendër të kësaj ecurie është Ardon Jashari (22), lojtari nga Zvicra që duket se po ndihet gjithnjë e më mirë pasi u transferua nga Luzerni në Belgjikë.
Mesfushori Jashari ka fituar zemrat e belgëve me shpejtësi, pasi kishte telashe në fillim. Ai tashmë është lojtari i pëlqyer i tifozëve të Club Brugge.
Këtë e dëshmon edhe veprimi i fundit i klubit. Club Brugge ka vazhduar kontratën e Jashari shumë më herët se që pritej dhe vetëm pas gjashtë muajsh të mesfushorit në klub. Kontrata e re e Jasharit është e vlefshme deri në verën e vitit 2029 dhe sipas burimeve të “Blick” përfshin rritje shumë të madhe të pagës. Jashari tani është njëri prej lojtarëve me pagën më të madhe në ligën belge.
Në kontratë nuk do të ketë klauzolë të largimit.
Ndonëse firmosi kontratë të re, duket e pamundur që supertalenti të qëndrojë kaq gjatë në Belgjikë. Pas pjesës së parë të edicionit, Jashari rriti vlerën në treg në 11 milionë euro dhe tashmë ka ngjallur interesim të madh të Atalanta Bergamos.
Ish-trajneri Mario Frick (50), që e bëri Ardon Jasharin kapitenin më të ri të Luzernit, ditë më parë foli për ish-lojtarin e tij të pëlqyer.
“Në këtë nivel, personaliteti është dallimi më i madh. Ardoni është lider i lindur. Ai mori përgjegjësi të jashtëzakonshme në moshë shumë të re. Për këtë arsye nuk shoh ndonjë limit në zhvillimin e tij”, ka thënë Frick.
Për momentin e ardhmja e Jasharit është te klubi i madh belg, që paraqitet në Ligën e Kampionëve.