“Ofenziva” e Jurgen Kloppit si kreu i futbollit të Red Bullit filloi të martën në Salzburg të Austrisë. Ish-trajneri i Liverpoolit u prezantua zyrtarisht në rolin e tij të ri dhe iu kundërpërgjigj kritikëve që kundërshtuan këtë angazhim.

Vendimi i Kloppit për t’iu bashkuar gjigantit të pijeve energjetike, për të zhvilluar klubet e futbollit të Red Bullit në mbarë botën, ka hutuar tifozët e klubeve të tij të mëparshme, sidomos në Gjermani. Ai si trajner udhëhoqi Mainzin drejt promovimit në Bundesligë në vitin 2004. Më pas e udhëhoqi Borussia Dortmundin drejt titujve të Bundesligës në vitet 2011 e 2012.

Të dielën Kloppi ishte në Leipzig për të parë ekipin e mbështetur nga Red Bulli të rimerrte vendin e katërt në Bundesligë me fitore 4:2 ndaj Werder Bremenit.

“Mendova, a nuk meritojnë ata futboll të mirë?”, pyeti Klopp, ndërsa e kishte fjalën për tifozët e Leipzigut.

“Me të vërtetë ndjeva se e meritonin. Dhe nuk është vetëm atje, është në Salzburg po ashtu. Tifozët e futbollit në New York e meritojnë nëse duan të jenë pjesë e këtij rrugëtimi, ata në Japoni, në Brazil. Meritojnë mbështetje, përmirësim, të gjitha këto. Kjo është arsyeja pse unë dua ta bëj këtë. Unë e dua futbollin”, ka thënë trajneri i njohur gjerman.

Në Gjermani për kohë të gjatë kanë kundërshtuar përfshirjen e Red Bullit në futboll. Tifozët e vlerësojnë Red Bullin të kundërtën e çdo gjëje që ata duan në lojë.

Tifozët në Mainz u përgjigjën me protestë kur Red Bulli njoftoi se ka firmosur me Kloppin.

“A ke harruar çdo gjë që të kemi dhënë?”, ishte pyetja në një baner të shfaqur në ndeshjen ndaj Leipzigut, duke iu referuar fjalimit lamtumirës të përlotur të Kloppit kur u largua nga klubi pas 18 vjetësh si lojtar e trajner. Kloppi ishte larguar nga Mainzi në vitin 2008.

Vendimi i Kloppit goditi edhe Dortmundin.

“Jurgeni e di shumë mirë se ai pothuajse mund të kishte zgjedhur punën e tij në Borussia Dortmund”, tha shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke muajin e kaluar.

Watzke tha se mbeti mik me Kloppin, por se më nuk do të mund të flisnin për Dortmundin. Watzke më parë kishte thënë se Leipzigu ekzistonte vetëm si një fushatë marketingu.

“Futbolli atje luhet për të marrë pije për të performuar”, kishte theksuar Watzke në vitin 2016.

Faqja e internetit e Red Bullit nderon bashkëthemeluesin Dietrich Mateschitz për zhvillimin e “jo vetëm një produkti të ri, por edhe të një koncepti unik të marketingut”, kur ai nisi me pijen e famshme në vitin 1987.

Red Bulli, që në vitin 2023 kishte qarkullim rekord prej 10,5 miliardë euro, filloi të investonte në sporte ekstreme në Austri në vitin 1988. Kaloi në motosporte në vitin pasues, ndërsa kaloi në sportin ndërkombëtar në vitin 1994. Në futboll kompania u përfshi në vitin 2005. E bleu klubin SV Austria Salzburg dhe e emëroi Red Bull Salzburg. Pavarësisht kundërshtimit të tifozëve, u ndryshuan ngjyrat e klubit. Kjo lëvizje u bë në vitin 2009 në Gjermani, kur u ble licenca e lojës së klubit të kategorisë së pestë, SSV Markranstadt dhe u bë riemërimi i klubit. Klubi u quajt “Rasenballsport Leipzig” pasi kompanisë iu ndalua të përdorte emrin e saj për klubin. Tani klubi kryesisht njihet si RB Leipzig. Red Bulli financoi ngritjen e klubit në Bundesligë, ku luan me sukses nga viti 2016.

Kloppi tani do të mbikëqyrë klube të mbështetura nga Red Bulli në mbarë botën. Pra edhe klubet si New York Red Bulls në SHBA, Bragantino në Brazil e Omiya Ardija në Japoni.

Kompania ka aksione edhe te Leedsi në Angli dhe pritet të blejë aksione edhe te Paris FC, klubin e kategorisë së dytë franceze, të cilin Kloppi e vizitoi të shtunën.

“Nëse doni të kuptoni, mund të kuptoni. Nëse nuk doni të kuptoni, nuk do ta kuptoni. Kjo është”, ka thënë Klopp për kritikat.