Lëndimet, “kundërshtari” më i madh i Brojës

Në edicionin 2024/2025, që ende është në gjysmë, Armando Broja ka qëndruar jashtë fushës për 94 ditë.

Për 33 ditë mbeti jashtë në edicionin e kaluar. Numër dukshëm më të madh të ditëve pa luajtur kishte në edicionin 2022/2023, plot 284. Në edicionin 2021/22 mungoi 27 ditë, ndërsa për 7 ditë mungoi në edicionin 2020/2021.

Të gjitha këto mungesa sulmuesi i Shqipërisë i kishte shkaku i lëndimeve të ndryshme.  Pësoi 11 lëndime deri më tani. Numri i ndeshjeve në të cilat ai mungoi është 72.

Kjo është “historia” e Armando Brojës e publikuar në faqen “transfermarkt”, që merret me statistika të lojtarëve.

Lëndimin e fundit Broja e pësoi të enjten në mbrëmje, në ndeshjen e raundit të tretë të Kupës FA që Evertoni e zhvilloi ndaj Peterboroughit.

Brojës iu dha ndihma mjekësore edhe me oksigjen, ndërsa është përcjellë jashtë fushës me barelë, pas lëndimit që u duk shumë i rëndë. “BBC” dhe mediat e tjera në Angli kanë shkruar se lëndimi ishte në nyjën e këmbës së djathtë.

Broja ishte inkuadruar në fushë në minutën e 68-të në ndeshjen të cilën Evertoni e fitoi 2:0 në “Goodison Park”.

Ai e pati një duel jo shumë të fortë me Emmanuel Fernandezin në minutën e 83-të. Në fakt, kontakti ishte minimal, kurse Fernandez e fitoi topin. Broja ndjeu dhembje të madhe në momentin kur e lëshoi këmbën në tokë, ndërsa trajtimi nga stafi mjekësor zgjati shumë.

Trajneri i Evertonit, Leighton Baines, ka shpresë se lëndimi i Brojës nuk është shumë i rëndë. Baines është trajner i grupmoshës U18 të Evertonit, ndërsa e udhëhoqi ekipin senior pas shkarkimit të trajnerit Sean Dyche, po të enjten.

“Është e qartë se lëndimi dukej shumë i rëndë. Ai shkoi në pjesën tjetër të fushës dhe nuk ishim të sigurt se a do të shkonte në spital apo jo, por nuk ka shkuar. Nuk e dimë shkallën e lëndimit për momentin, por është lëndim në pjesën e poshtme të këmbës. Ai nuk është dërguar në spital dhe këtë e kam marrë si shenjë të mirë”, ka deklaruar Baines pas ndeshjes.

Broja vlerësohet njëri prej sulmuesve më të mirë që ka Shqipëria dhe është shpresë e madhe për të ardhmen pasi është vetëm 23-vjeçar.

Megjithatë, historia e lëndimeve është e gjatë dhe e ka ndalur shpeshherë në arritjen e objektivave.

Prej mungesave më të gjata që ka pasur ka qenë në edicionin 2022/2023, kur e këputi ligamentin kryqëzor të gjurit dhe mungoi për nëntë muaj.

Ai kaloi tek Evertoni në verë nga Chelsea në formë huazimi, ndërsa debutoi vetëm në muajin e kaluar për shkak të lëndimit në tendinën e Akilit.

Broja është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Tottenhamit dhe Chelseat. Ka luajtur edhe te Vitesse në Holandë dhe Southamptoni e Fulhami në Angli.

Ka luajtur edhe për grupmoshat U19 e U21 të Shqipërisë. Me ekipin e parë të Shqipërisë debutoi më 7 shtator të vitit 2020 dhe ka zhvilluar 23 ndeshje në total.

Ka pesë gola të shënuar. Ndeshjen e fundit me Shqipërinë e ka zhvilluar më 24 qershor të vitit të kaluar e më pas mungoi në të gjashtë ndeshjet e Ligës së Kombeve.