Futsalli i Kosovës nuk ka shumë publicitet, por klubet e futbollit të sallës po përfitojnë goxha mirë nga marrëveshjet e sponsorizimit. Vjet të hyrat për klubet e futsallit, sipas marrëveshjeve të sponsorizimit, ishin plot 508 mijë e 900 euro.

Disa  prej klubeve kanë marrëveshje “luksoze”. Për shembull, “Prishtina 01” ka një marrëveshje prej 60 mijë eurosh e një tjetër prej 16 mijë eurosh. Gjithsej të hyra ky klub kishte prej 91 mijë eurosh.

“Trepça” kishte të hyra prej 19 mijë eurosh, ndërsa klubi “Prishtina” 14 mijë euro. “Drenica Tradita” ka 12 mijë euro, “Malisheva” 7.500, “13 Qershori” ka marrëveshje për 17 mijë e 400 euro.

Klubi “Fida” nga Prishtina tradicionalisht ka realizuar të hyra të mëdha nga sponsorizimet. Vitin e kaluar një marrëveshje e kishte për plot 50 mijë euro e një tjetër për 6.000. Dhe ky klub është vetëm në kategorinë e dytë. 

“Vjosa” ka shumë marrëveshje, të vlefshme me gjithsej 70 mijë euro. “Mabetex Prishtina” ka dy marrëveshje, njërën 40 mijë e njërën 5.000. 

Kampion i futsallit sa u takon të hyrave nga sponsorizimet është Obiliqi, me plot 176 mijë e 500 euro. Obiliqi është i teti në Superligën e Futsallit. Pra, në pjesën e poshtme të tabelës.