Trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, sërish ka qenë në qendër të vëmendjes. 

Para ndeshjes së xhiros së shtatë ndërmjet Fenerbahçes dhe Lyonit në Ligën e Evropës që përfundoi 0:0 të enjten mbrëma, Mourinho ka menduar se po e përshëndet trajnerin e Lyonit, Pierre Sage. 

Ish-trajneri i Benficas, Portos, Chelseat, Interit, Real Madridit, Manchester Unitedit, Tottenhamit e Romës, shkoi në drejtim të Abdeljelil Redissit, ia dha dorën dhe e përqafoi atë. Më pas, fizioterapisti i skuadrës franceze bëri me gisht te Sage, duke i treguar se ai është trajneri, i cili qëndronte disa metra më larg. 

Puna e Sages në krye të Lyonit është në rrezik për shkak të rezultateve të dobëta. 

“Futbolli është me plot pronarë dhe presidentë të cilët nuk kuptojnë asgjë në futboll. Ky ekip i Lyonit është shumë i mirë dhe kur ekipi është i mirë, do të thotë se edhe trajneri është i mirë”, ka thënë portugezi Mourinho.