Florent Muslija nuk ka shfaqur shenja të frustrimit gjatë ditëve të kampit dimëror të Freiburgut. Mesfushori ofensiv duket që është plotësisht i përkushtuar në fushë, ndërsa jashtë saj ofron një lloj relaksimi. Para dhe pas seancave stërvitore, ai zakonisht shihet i buzëqeshur. Janë shenja të qarta të “personazhit shumë, shumë pozitiv”, ndonëse ambiciet personale me të cilat lojtari i përfaqësueses së Kosovës u transferua nga Paderborgni te Freiburgu një vit më parë nuk janë realizuar ende.

Gjashtë muajt e parë të Florent Muslijës u vlerësuan periudhë e përshtatjes te skuadra e Bundesligës. Kishte dhjetë paraqitje si zëvendësues dhe një asistim. Hapi para pritej në edicionin aktual, 2024/2025. Por zhvillimi është në kahe të kundërta, të paktën në letër. Vetëm shtatë paraqitje në Bundesligë, asnjëra prej fillimit dhe pa përfshirje në gola. Rasti i vetëm për të startuar ishte në fillim të dhjetorit në ndeshjen për Kupë ndaj Arminia Bielefeldit. Ai vuri themelet e një humbjeje të turpshme, 3:1, nga skuadra e kategorisë së tretë, me penalltinë e humbur në minutën e 18-të.

“Një ditë për të harruar”, thotë futbollisti i lindur në Achern.

Fakti që portieri i Arminias është dashur thjesht të ndalte gjuajtjen e bërë në mes të golit ishte “qershia mbi tortë”.

“Nuk mendoj se ishte rrezikim i madh. Në fakt është më pak e rrezikshme se të gjuash në krahë, pasi pak portierë ndalen dhe presin. Por natyrisht kishte tjetër ndikim te tifozët, jam i vetëdijshëm për këtë”.

Në tri ndeshjet e fundit kampionale, Muslija nuk fitoi rastin. Nga jashtë, ndryshimi i skuadrës dukej opsion. Por Muslija nuk e mendon largimin.

“Asnjëherë nuk i kam pasur këto mendime. Ndihem i vlerësuar në klub dhe ndihem shumë si në shtëpi në këtë ekip”.

Ai është realist për perspektivën sportive.

“Ekipi është paraqitur mirë. Lojtarët e pozitave ku mund të paraqitem unë kanë luajtur mirë. Ka shumë dallim në cilësi mes Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2,  sidomos në këto pozita. Duhet të pres momentin tim dhe më pas të jem gati”, thotë Muslija.

Fakti se ai është profil i ngjashëm me Vincenzo Grifon, golashënuesin më të mirë, nuk e bën të lehtë. Aktualisht Muslija nuk e ka nivelin e Grifos.

“Nuk ka kuptim për mua që të brengosem për atë që mund të ndodhë në gjashtë muajt e ardhshëm. Është sport garues, kështu që gjithnjë duhet të jeni i fokusuar. Dua sukses maksimal me Freiburgun tani dhe në të ardhmen”, thotë Muslija.

Ai mund të kontribuojë në këtë. Duke shfrytëzuar mundësinë e së ardhshmes që i vjen më mirë se mundësinë e kaluar.