Një ngulitje e bërë në mesin e çerekut të katërt e përshkruan më së miri paraqitjen e Jayveous Mckinnis në ndeshjen e së shtunës ndaj Golden Eagle Ylli. Pas një gjuajtje të dështuar për tri pikë, Jay Mckinnis kërceu mbi lojtarët e Yllit dhe mbi bashkëlojtarët e tij te Bashkimi për ngulitje të bukur e dominante.
Dominante ishte edhe paraqitja e krah-qendrës amerikane në fitoren 70:60 të Bashkimit. Lojtari i gjatë 201 centimetra, realizoi 19 pikë e plot 20 kërcime. Ishte bindshëm më i miri në ndeshje.
25-vjeçari Mckinnis po shquhet prej fillimit të edicionit dhe është adut i madh i prizrenasve në garën për titull të kampionit të Kosovës në basketboll.
Amerikani Mckinnispo luan me 12,2 pikë e 10,6 kërcime për ndeshje.
“Jam i lumtur me statistikat personale. Mundohem të jap më të mirën për të pasur ndikim në fitore dhe për të ndihmuar ekipin tim në secilën mënyrë të mundshme”, ka thënë Jay Mckinnis të hënën për KOHËN.
Ai ka pasur disa ndeshje vërtetë të dalluara. Ndaj Vëllaznimit më herët këtë muaj i kishte 24 pikë e 20 kërcime. 18 kërcime i kishte ndaj Proton Cable Prizrenit. Në nëntë ndeshje ka pasur dhjetë e më shumë kërcime. Edhe pikë dyshifrore ka realizuar në nëntë ndeshje.
Bashkimi është lider i Superligës dhe po shfaq formë të mirë në xhirot e fundit.
“Synimi është të vazhdojmë të fitojmë ndeshjet dhe të fitojmë kampionatin në fund”, thotë Mckinnis.
Ai vlerëson se prizrenasit janë në pozitë të mirë për të festuar në fund, ndërsa vlerëson përbërjen e skuadrës.
“Mendoj se shanset i kemi shumë të mëdha, bazuar në lojtarët dhe përbërjen që kemi. Stafi i trajnerëve dhe tifozët na kanë shtyrë drejt niveleve më të larta”.
Ai ka pasur informata për Kosovën dhe basketbollin kosovar, përmes amerikanëve të tjerë që kanë luajtur më parë në Kosovë. Thotë se është ambientuar shumë mirë, i pëlqen jeta këtu dhe se është pritur mirë.
“Nuk kam pasur ndonjë dyshim për të ardhur në Kosovë. Kam ardhur me mentalitet fituesi dhe do të bëj më të mirën që edhe të jem fitues”, thotë Mckinnis.
Për lojtarin e fuqishëm është vetëm edicioni i dytë si profesionist. Në edicionin e parë luajti në Qipro e më pas në Filipine. Tani po e udhëheq Bashkimin e Prizrenit.
“Ardhja këtu mendoj se është veprim i duhur për karrierën time. Liga është e mirë, gara për titull po ashtu. Përkushtimin e kam maksimal që të jem i suksesshëm me skuadrën e Bashkimit”, thotë Mckinnis.
Pas xhiros së 19-të, Bashkimi udhëheq në tabelë me 33 pikë, një më shumë se Trepça.
Me shumë ndikim te skuadra e Bashkimit vlerësohen edhe amerikanët Mack Smith e Wendell Green.
Por kontribut të madh po japin edhe vendorët e klubit prizrenas.