Në moshë të re Elvis Rexhbeçaj konsiderohej njëri prej talenteve më të mëdha në Gjermani. Kërkohej nga disa klube të Bundesligës.

Rexhbeçaj ishte 12-vjeçar kur vendosi t’u bashkohej të rinjve të Wolfsburgut, në vitin 2010. Shtatë vjet më vonë debutoi në Bundesligë. Pati huazime te Kolni e Bochumi. Me Kolnin shënoi shtatë gola në 42 ndeshje, kurse te Bochumi i zhvilloi 36 ndeshje. Mesfushori, që ka pesë paraqitje me Kosovën, kaloi tek Augsburgu në vitin 2022. Qëkur u transferua, ka zhvilluar 78 ndeshje dhe ka kontribuuar me katër gola.

Në një intervistë të gjatë për “Kicker”, të publikuar të premten, Rexhbeçaj ka kujtuar kohën kur vlerësohej lart te grupmoshat e reja, kurse ka folur edhe për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës në Ligën e Kombeve.

Tani 27-vjeçar, Rexhbeçaj debutoi me “Dardanët” në humbjen 3:0 nga Rumania në Prishtinë, më 6 shtator të vitit të kaluar. Ajo ndeshje edhe e vendosi fatin e Grupit C2 të Ligës së Kombeve. Rumania përfundoi e para me 18 pikë, ndërsa Kosova e dyta me 12 pikë. Tani do të luajë dy ndeshje në plejof me Islandën në muajin mars, për inkuadrim në Ligën B.

Rexhbeçaj e ka kujtuar ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht, në nëntorin e vitit të kaluar. Deri në fund rezultati në ndeshjen Rumania – Kosova ishte 0:0. Kapiteni Amir Rrahmani pati një përplasje me sulmuesin e rumunëve, Denis Alibec. Më pas tifozët nisën thirrjet Serbia, Serbia. Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha dhe nuk u kthyen më. 

“Edhe një vit më herët, ndeshja ishte ndërprerë për kohë të gjatë, pas flamujve dhe pankartave kundër Kosovës. Bëhej fjalë për diçka më të madhe. Po të dilnim në fushë ata do të ishin sërish fitimtarë në këtë drejtim”, ka treguar Rexhbeçaj, i cili ka shtuar se vendimi u mor njëzëri.

UEFA më pas vendosi që fitorja me rezultat zyrtar t’i takonte Rumanisë, por e gjobiti Federatën rumune me 128 mijë euro dhe me një ndeshje pa praninë e tifozëve. Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me 6 mijë euro për shkak të pesë e më shumë kartonëve të verdhë të marrë nga lojtarët “Dardanë”.

“Ishte temë e rëndësishme edhe më herët dhe sigurisht që ishin bërë të gjitha paralajmërimet dhe kërkesat ndaj tifozëve që të qëndronin të qetë dhe të mos bënin asgjë. UEFA e ka parë këtë. Ne luajtëm lojë shumë të mirë. Ishte 0:0 dhe në minutën e fundit pati thirrje. Kapiteni ynë shkoi disa herë te gjyqtari, por kjo nuk ndihmoi. Kështu që vendosëm si ekip të largoheshim nga fusha së bashku dhe të qëndronim në dhomat e zhveshjes. Ne donim të dërgonim një mesazh: Kosova është shtet, edhe ne jemi njerëz. Pse duhet ta durojmë këtë?”, ka pyetur lideri i ri i mesfushës së Kosovës. 

Rexhbeçaj për shtatë vjet është lojtar i Bundesligës, por ka përvojë të shkurtër në futbollin ndërkombëtar. Ai ka treguar pse vendimi për ta përfaqësuar Kosovën është vonuar, ndërsa është shprehur krenar që përfaqëson vendin prej nga vjen.

Familja e Rexhbeçajt është me prejardhje nga fshati Gjonaj e Prizrenit.

“Nuk ishte aq e lehtë. Familja erdhi në Gjermani nga lufta në Kosovë dhe unë kisha pasaportë kosovare. Kur kishim kamp stërvitor në Kinë me të rinjtë e Wolfsburgut, unë nuk munda të hyja në atë vend, sepse nuk ma pranuan pasaportën. Pas kësaj u përpoqa të merrja pasaportë gjermane dhe familja më kuptoi. Bëhej fjalë për hapjen e më shumë dyerve për mua në aspektin profesional dhe për të ardhmen. Dyshtetësia ka qenë e mundur vetëm nga viti i kaluar, por sigurisht që kemi pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës edhe më parë. Përzgjedhësi Franco Foda më ftoi menjëherë dhe më tha që më donte atje”, është shprehur Rexhbeçaj.

“Kjo është gjë shumë e madhe. Jemi vend i vogël, por të mëdhenj sërish. I gjithë vendi pret me padurim që të luajmë sërish. Mund ta ndjeni se sa krenarë janë njerëzit që lojtarët vijnë nga ligat më të mira në Evropë për të luajtur për vendin e tyre”.

Rexhbeçaj në moshë të re thotë se është kërkuar nga thuajse gjysma e Gjermanisë. Ka përmendur ekipe si: Dinamo Dresden, Hamburg, Hertha Berlini, Werder Bremeni e Bayer Leverkuseni. Por ka theksuar se Wolfsburgu ishte zgjidhja më e mirë për të dhe familjen.  

Rexhbeçaj ka kontratë me Augsburgun deri në vitin 2026 dhe thotë se ndihet si në shtëpi. Por nuk e mohon dëshirën për aventurë jashtë Gjermanisë. Ai ka luajtur 175 ndeshje në Bundesligës, ndërsa i ka dhjetë gola e nëntë asistime.

Augsburgu ka dy fitore rresht si mysafir në ndeshjet e fundit në ligë. Fitoi ndaj Union Berlinit dhe Werder Bremenit, me rezultatin e njëjtë, 2:0.

Dy fitore rresht si mysafir në ligë, Augsburgu i kishte arritur vetëm dhjetë muaj më parë. Dhe me gjashtë pikët e fituara, Augsburgu i është afruar zonës që dërgon në garat evropiane. Ka 22 pikë në vendin e 12-të.

Augsburgu ndeshjen e radhës e luan kundër Heidenheimit të shtunën nga ora 15:30.

Rexhbeçaj këtë edicion ka zhvilluar 19 ndeshje, duke përfshirë tri në ligë, ndërsa ka dy gola të realizuar. Supergol shënoi kundër Werder Bremenit në xhiron e parë, ndërsa në Kupë realizoi ndaj Viktoria Berlinit.

Nga ajo kohë nuk ka shënuar, por ka regjistruar një asistim kundër Eintracht Frankfurtit më 7 dhjetor.

“Nuk shqetësohem aspak për këtë. Sigurisht se dua të shënoj më shumë gola dhe po mundohem, por megjithatë nuk është keq. Kryesorja është të fitojmë”, ka deklaruar mesfushori.