126 ndeshje janë luajtur në Ligën e Kampionëve deri tani. Vetëm tetë ndeshje kanë përfunduar me rezultatin 0:0.
Bergamo, 23 janar – Konfederata Evropiane e Futbollit UEFA kishte thënë se formati i ri i Ligës së Kampionëve do t’i bënte ndeshjet më atraktive. Deri tani, ka pasur të drejtë. Të paktën një gol është shënuar në 118 ndeshje, nga 126 sa janë zhvilluar në total.
Tifozët është dashur ta lënë stadiumin pa e parë asnjë gol të realizuar në vetëm tetë raste.
Por, në këtë statistikë më së shumti kanë qenë të prekur tifozët italianë. Një ekip italian është përfshirë në shtatë prej tetë ndeshjeve që kanë përfunduar pa gola.
Mediumi zviceran “SRF” ka pyetur nëse është kthyer sistemi taktik i futbollit italian, “Catenaccio”, që është i përqendruar krejtësisht në mbrojtje.
Në përgjithësi, ekipet italiane njihen si skuadra që luajnë mirë në mbrojtje, dhe kjo është primare për ta.
Skuadra e Interit, kampionit në fuqi të Italisë, e ka mbrojtjen më të mirë në Ligën e Kampionëve, pasi e ka pësuar vetëm një gol, pas shtatë xhirove të zhvilluara.
Por, Interi vetëm në një ndeshje ka luajtur pa gola.
Bologna, Atalanta dhe Juventusi, e kanë përfunduar ndeshjen me rezultatin 0:0 në dy raste.
Përveç Bolognas, të gjitha ekipet tjera italiane mund të arrijnë të paraqiten në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.
Milani është i vetmi ekip italian që në edicionin aktual të “Championsit”, nuk e ka përfunduar asnjë ndeshje pa gola. Por, ka mbetur edhe një xhiro deri në përfundim të fazës së ligës, në formatin e ri të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e vetme që përfundoi 0:0, e ku nuk ishte e përfshirë një skuadër italiane, ka qenë ajo mes Dinamos së Zagrebit të Kroacisë dhe Celticut të Skocisë.
Skocezët po ashtu kanë dy ndeshje të përfunduara me rezultatin e barabartë, pa shënuar por as pa pësuar gol.
Të mërkurën mbrëma, Celticu shmangu ndeshjen e tretë të tillë. Arriti fitore 1:0 përballë Young Boysit, krejt në fundin e ndeshjes.