Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka folur për rastet diskutabile të cilat ndodhën në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndërmjet Real Madridit dhe Celta Vigos.
Reali avancoi në çerekfinale të garës.
Fitoi 5:2, por vetëm pas vazhdimeve. Koha e rregullt u mbyll 2:2.
Kylian Mbappe, Vinicius Junior, Endrick me dy gola dhe Federico Valverde, i shënuan golat për madrilenët, ndërsa Jonathan Bamba dhe Marcos Alonso, i realizuan golat për mysafirët.
“Nuk e kam parë ndeshjen, por më kanë thënë se kishte episode të cilat po përsëriten tash e njëqind vjet. Nuk e di pse befasohen ata”, ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp trajneri i Atleticos.
Nga momentet diskutabile u përmend momenti kur Mbappe shënoi për 1:0. Dyshohej për penallti fillimisht. Gjyqtari nuk sinjalizoi në pikën e bardhë dhe loja vazhdoi. Por, para dyshimit për penallti, kishte ndërhyrje të Rudigerit në hyrje të zonës. Edhe ajo nuk u sinjalizua për ndërhyrje të palejuar. Loja vazhdoi dhe në kundërsulm, Mbappe realizoi gol të bukur për 1:0.
Një tjetër rast diskutabil ishte një prekje me dorë brenda në zonë e gjermanit Rudiger.
Momente të tjera diskutabile, ishin shkelja e Endrickut ndaj një kundërshtari nga prapa dhe nuk është dhënë karton i kuq, kurse një tjetër ishte kur Valverde e goditi Ilaix Moriban, duke ia ndaluar vrapimin, shkruan “Marca” të premten.
Sipas Simeones, Real Madridi dhe Barcelona favorizohen shumë nga gjyqtarët.