Në Spanjë dhe Turqi ka disa ditë që po raportohet se sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, mund të largohet nga Mallorca. Dhe atë gjatë këtij muaji.

Por lajmet se Muriqi mund të largohet nga Mallorca për t’iu bashkuar Fenerbahçes, nuk i bëjnë përshtypje trajnerit të Mallorcas, Jagoba Arrasate. Ai thotë se është i qetë. Arrasate insiston se Muriqi është i lumtur te Mallorca.

Fenerbahçe udhëhiqet nga trajneri portugez, Jose Mourinho.

Muriqi 30-vjeçar luajti me plot sukses për Fenerbahçen për një vit. Ai në edicionin 2019/2020 shënoi 17 gola në 32 ndeshje. Më pas bëri një lëvizje drejt Italisë, te skuadra e Lazios për 21 milionë euro.

“Jam i qetë, sepse ai është një lojtar i rëndësishëm për klubin dhe e shoh super të lumtur te Mallorca. Unë nuk jam aspak i shqetësuar”, ka thënë Arrasate, shkruan të mërkurën “estadiodeportivo.com”. “Ajo që kërkoj është që askush të mos largohet, të mos kemi humbje të papritura”.

Muriqi do ta udhëheqë sulmin e Mallorcas në ndeshjen kundër Real Madridit të enjten, në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës. Ndeshja luhet në “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite.

Mallorca paraqitet në turneun e Superkupës si finaliste e Kupës së Spanjës në edicionin e kaluar.

Synimi i Mallorcas është kalimi në finale. Dhe, Arrasate do të mbështetet te sulmuesi i Kosovës.

Në gusht të vitit 2024, Muriqi kishte shënuar ndaj Real Madridit në ndeshjen në La Liga të Spanjës. Ai realizoi gol të bukur me kokë.

Muriqi ishte shfaqur i rrezikshëm për portën e ekipit madrilen edhe në disa raste të tjera. Për ndërhyrje ndaj Muriqit, me karton të kuq ishte përjashtuar Ferland Mendy. Muriqi ishte shpallur lojtar i ndeshjes kundër Realit të mbushur me plot yje.

Mallorca për herë të tretë paraqitet në Superkupë. Në vitin 2003 humbi nga Real Madridi. Në vitin 1998 kishte fituar 3:1 pas dy ndeshjeve me Barcelonën. Mallorca e kishte fituar Kupën e Spanjës në vitin 2003, kështu që është në kërkim të trofeut të tretë në histori.