Mbrojtësit e Borussia Dortmundit, Waldemar Anton dhe Almugera Kabar, janë në dyshim për derbin e së premtes ndaj Bayer Leverkusenit për shkak të sëmurjes, ka njoftuar trajneri Nuri Shahin.

“Po përballemi me një grip, kështu që duhet të presim dhe të shohim”, ka thënë Shahin në konferencë për shtyp, të mërkurën.

Dortmundi në derbin e Bundesligës do të jetë edhe pa Niklas Sulen e lënduar dhe Pascal Grossin e suspenduar.

Shahin ka thënë se ndeshja me Leverkusenin, që nuk ka humbur në ligë që nga gusht, do të jetë e vështirë.

“Xabi Alonso ka ndryshuar çdo gjë te Leverkuseni. Ai ka stabilizuar skuadrën dhe ka shtuar gjëra të reja vazhdimisht. Është skuadër shumë e mirë. Ka shumë kontroll gjatë ndeshjes, por edhe ne e duam kontrollin”, ka thënë Shahin.