Claudio Ranieri ka vazhduar me bilanc maksimal në derbin e kryeqytetit, derisa Roma fitoi 2:0 ndaj Lazios në kuadër të Serie A, të dielën mbrëma. Kështu Roma mori shtytjen që aq shumë i duhej në edicionin e vështirë.

Kapiteni i Romës, Lorenzo Pellegrini shënoi golin e parë, ndërsa Alexis Saelemaekeres konkretizoi një kundërsulm për t’i dhënë Romës epërsi prej dy golave pas 18 minutave lojë.

Trajneri ikonik, Ranieri, tani ka pesë fitore në pesë derbi lokal si trajner i Romës. Ai është trajneri i tretë i skuadrës këtë edicion. Daniele De Rossi e Ivan Juriq u shkarkuan në mungesë të rezultateve. Fitoret tjera të Ranierit në derbi erdhën në periudhën e parë te Roma, nga viti 2009 deri në vitin 2011. Ranieri e udhëhoqi skuadrën e qytetit të tij për kohë të shkurtër edhe në vitin 2019.

“Trajneri është legjendë e Romës. Të gjithë e dimë këtë dhe të gjithë jemi të lumtur për të”, ka thënë Saelemaekers.

“Ai mori drejtimin e skuadrës në moment të vështirë, organizoi të gjithë grupin dhe përmirësoi mentalitetin”.

73-vjeçari Ranieri ka fituar edhe tre derbi të mëdhenj lokal në Itali, të Milanos, Torinos dhe Genoas, si trajner i Interit, Juventusit dhe Sampdorias.

“Nëse skuadrës i mungon energjia, trajneri duhet të sigurojë energji. Por zakonisht skuadra ka energji të mjaftueshme për derbi dhe trajneri nuk ka nevojë të shtojë asgjë. Unë thjesht përpiqem të mbaj lojtarët të qetë, në mënyrë që ata që japin çdo gjë që munden në fushën e lojës”, ka thënë Ranieri.

Ranieri mbetet më së shumti i njohur për periudhën te Leicester City në Angli. E  shokoi botën e sportit duke e udhëhequr këtë skuadër drejt titullit të kampionit në Premier League në vitin 2016. Në Angli jo gjithnjë është vlerësuar. Madje i ishte vënë nofka “Tinkerman” për shkak të ndërrimeve të shumta të lojtarëve e formacioneve në skuadrat që drejtonte.

Karriera e tij megjithatë është impresive. Në edicionin e kaluar e ndihmoi Cagliarin të shmangte rënien nga Serie A dhe tha se ajo ishte puna e fundit e tij në nivel klubesh. Por nuk ka mundur të refuzonte Romën, kur klubi i zemrës e ftoi në nëntor, ndonëse kriza ishte e thellë. Kontrata e Ranierit parasheh që ai të ketë rol ekzekutiv në klub pas këtij edicioni. Do të ketë ndikim në atë se kush do të jetë trajner i ardhshëm i skuadrës.

Roma, që ka fituar tri prej pesë ndeshjeve të fundit në Serie A, doli në vendin e dhjetë. Lazio mbetet në vendin e katërt. Pellegrini është kritikuar shumë nga tifozët e Romës këtë edicion dhe goli i tij në derbi ka bërë që presioni të largohet paksa.

Që qetësia të kthehet në klub po ndihmon edhe Ranieri. Ai e ka nisur karrierën si trajner që në vitin 1986, ndërsa ka drejtuar edhe skuadrat si Napoli, Valencia, Atletico Madrid, Chelsea, Monaco e plot të tjera.