Asistimi i Besfort Zenelit ka qenë vendimtar në fitoren e madhe të Elfsborgut në Ligën e Evropës.

Me fitoren 1:0 të enjten mbrëma ndaj Nicet në “Boras Arena”, Elfsborgu ka mbetur në garë për të siguruar fazën nokaut të kësaj gare.

Besforti, vëllai i vogël i Arbër Zenelit, asistoi në minutën e 62-të për mbrojtësin Gustav Henrikson, i cili shënoi me kokë nga afërsia.

Për Zenelin ishte asistimi i tretë në edicionin aktual.

 

Dy i ka në fazën e ligës dhe një në kualifikimet e Ligës së Evropës. Në kualifikime e ka të shënuar edhe një gol.

Ai e kompletoi ndeshjen, ndërsa Arbër Zeneli luajti deri në minutën e 78-të.

Besforti ka gjashtë paraqitje me Kosovën U21, kurse Arbëri i ka 33 ndeshje e nëntë gola të realizuar me “Dardanët”.

Elfsborgu ka 10 pikë, ndërsa Nice pa gjasa për kualifikim, ka dy pikë në vendin e parafundit.