Ndeshje të zjarrtë kanë zhvilluar Paris Saint-Germaini dhe Manchester City të mërkurën mbrëma në “Parkun e Princave”.
Pas një rikthimi dramatik, fitores iu gëzua skuadra vendase Parisi.
Me fitoren 4:2, Parisi është në pozitë të mirë për avancim në fazën e plejofit në Champions. Një xhiro para fundit renditet i 22-ti me 10 pikë. Ndërkohë Manchester City rrezikon shumë seriozisht eliminimin që në fazën e ligës, që do të ishte turpërim për kampionin anglez. Aktualisht City mban vendin e 25-të me tetë pikë. Kjo pozitë në fund nuk siguron avancimin. Pozita e fundit që siguron avancimin është e 24-ta.
Golat u shënuan në pjesën e dytë.
Jack Grealish dhe Erling Haaland shënuan golat për Cityn në minutën e 50-të dhe të 53-të. Pas epërsisë 2:0 të Cityt, nisi rikthimi i vendasve.
Ousmane Dembele shënoi për 2:1 në minutën e 56-të, ndërsa Bradley Barcola shënoi golin e barazimit 2:2 menjëherë në minutën e 60-të. Joao Neves shënoi golin e epërsisë 3:2 në minutën e 78-të.
Për 4:2 në të mirë të Parisit shënoi Goncalo Ramos në minutën e 93-të.
Në xhiron e tetë të fazës së ligës, që është e fundit, Manchester City e pret Club Bruggen, ndërsa PSG-ja luan në udhëtim ndaj Stuttgartit.