Ylli shqiptar i futbollit, Xherdan Shaqiri, ka blerë aksione te klubi Rapperswil-Jona, që garon në kategorinë e tretë të Zvicrës.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi zviceran të martën.

Shaqiri për faqen e klubit ku tashmë ka aksione, ka thënë se e planifikon të ardhmen e tij profesionale me Rapperswil-Jonan.

“Duke vendosur t’i bashkohem Rapperswil-Jona, dua të përgatitem për rrugën time pas karrierës si futbollist. Kjo përfshin njohjen e strukturave të klubit. Për mua Rapperswil-Jona është klubi ideal për këtë. Është një klub i mirë, me një stadium të bukur dhe një traditë të gjatë”, ka thënë Shaqiri.

Ai mezi pret të nisë bashkëpunimin me drejtuesit e klubit.

“Do të ketë punë serioze, zhvillim të të rinjve, integrim dhe përkushtim social”, është shprehur 33-vjeçari.

Në përfshirjen e Shaqirit në Rapperwil-Jona ka ndikuar miqësia e kahershme e tij me presidentin e klubit Rocco Delli Colli.

Delli Colli shprehet i lumtur me vendimin e Shaqirit.

“Xherdani në Rapperswil-Jona vjen jo vetëm si një futbollist i admiruar dhe më i miri, por edhe si person i madh. Xherdani ka shumë pika të forta. Por gjëja më e mirë është modestia e tij. Ai u qëndroi gjithmonë besnik parimeve që kishte, edhe si futbollist i klasit botëror dhe nuk harroi kurrë se nga vinte”, ka thënë Delli Colli.

Ai më tej ka thënë se me Shaqirin planet janë shumë të mëdha.

Shaqiri pas vetes ka një bagazh të madh. Ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve, Kupën e Botës për klube, Superkupën e UEFA-s dy herë, tituj në Angli, Gjermani dhe Zvicër. Ai luajti 125 ndeshje për Zvicrën duke realizuar 32 gola dhe 34 asistime.

Angazhimi i Xherdan Shaqirit, siç shkruan klubi, është analizuar në detaje me Baselin, skuadër në të cilën e ka fokusin e plotë. Është sqaruar edhe me Ligën Zvicerane të Futbollit. As Shaqiri dhe as angazhimi në Basel, nuk përbëjnë konflikt interesi.

Më herët te ky klub janë angazhuar si këshilltarë vëllai i Xherdan Shaqirit, Erdini dhe partneri i tij afarist, Arbër Sakiri.

Shaqiri nuk ka shumicën e aksioneve të klubit ndërsa nuk u saktësua se sa ka investuar. Në këtë klub janë mbi 600 të rinj e mbi 300 të rritur në 40 skuadra të ndryshme.

Rapperswil-Jona është i pesti në kategorinë e tretë zvicerane. Ky klub u formua plot 97 vjet më parë.