Pas 20 xhirove të luajtura në Superligën e Zvicrës, Baseli ka shënuar më shumë gola sesa në gjithë edicionin e kaluar.

Lajm aspak i mirë për trajnerin e Zurichut, Ricardo Moniz, që është në mungesë të mbrojtësve për derbin Zurich – Basel që zhvillohet të dielën nga ora 16:30.

Baseli ka 34 pikë dhe është në garë për titull kampioni. Por, gara në Superligën e Zvicrës është e fortë. Shumë skuadra janë afër me pikë, ndërsa Zurichu ka vetëm katër më pak se skuadra e madhe helvetike.

Treshja e sulmit të Baselit, Xherdan Shaqiri, Kevin Carlos dhe Benie Traore, janë përfshirë direkt në 24 prej 31 golave të fundit të Baselit.

“Shaqiri është më i gatshëm për lojë sesa që ishte në shtator. Synimi jonë kryesor është që ai të jetë gati 100 për qind. Nëse nuk ia arrijmë një gjëje të tillë, do të jetë pasdite shumë e vështirë për ne”, ka deklaruar trajneri Moniz.

Te Zurichu mungojnë katër mbrojtës, përfshirë edhe dy shqiptarë. Lindrit Kamberi u ndëshkua me karton të kuq në xhiron e kaluar, ndonëse kishte shënuar gol.

Mirlind Kryeziu do të duhej të luante të dielën në mungesë të mbrojtësve.

Por, mbrojtësi i Kosovës nuk ka luajtur asnjë minutë në pjesën e dytë të sezonit, pasi njoftoi se nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën me klubin.

Megjithatë, ai do të mbetet jashtë fushës për shkak të problemeve muskulore.

“Duhet të improvizojmë, por ne gjithmonë kemi zgjidhje”, ka thënë trajneri Moniz të shtunën në konferencën për shtyp.