Pas Donjeta Sadikut, gjysmëfinalen në turneun e boksit “Stranxha” në Sofje të Bullgarisë, e kanë siguruar edhe dy boksierë tjerë të Kosovës, Bashkim Bajoku dhe Loris Idrizi.
Bajoku të enjten për kundërshtar në kategorinë deri në 54 kilogramë e kishte boksierin Sabyrkhan Makhmud. Bajoku e siguroi gjysmëfinalen pa luftë, pasi boksieri nga Kazakistani nuk e arriti peshën e nevojshme për luftë, ka njoftuar Federata e Boksit e Kosovës.
Ndërkohë, Idrizi në kategorinë deri në 71 kilogramë, avancoi tutje pasi e mposhti boksierin bullgar, Mitev Kristiyan.
“Këto janë medaljet e para pas më shumë se 40 viteve nga turneu ndërkombëtar ‘Stranxha’. Vazhdojmë tutje në gjysmëfinale, më 28 shkurt për vajza dhe më 1 mars për djem”, ka shkruar Federata e Boksit e Kosovës.
Të mërkurën ka garuar edhe Taulant Jakupi në kategorinë deri në 86 kilogramë, por ishte mposhtur nga bullgari Boldirev Semion.
Për herë të fundit në turneun “Stranxha” kishte fituar Mehmet Bogujevci, që ishte stolisur me medalje të artë.