Gjyqtari anglez, David Coote, është suspenduar nga UEFA deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm, ka njoftuar të premten Konfederata Evropiane e Futbollit.
Coote u shkarkua nga shoqata e gjyqtarëve anglezë në muajin dhjetor, pas një video që qarkulloi në rrjetet sociale ku ai bënte komente ofenduese ndaj ish-trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp.
UEFA kishte bërë tjetër hetim për Cooten, për një video tjetër ku ai shihej teksa thithte pluhur të bardhë.
Kjo gjë kishte ndodhur gjatë Kampionatit Evropian që ishte mbajtur në vitin e kaluar.
Në vendimin e fundit të publikuar nga trupi i UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë, shkruan se Coote është suspenduar nga të gjitha aktivitetet e referimit pasi ka thyer “rregullat themelore të sjelljes”, dhe i ka “dhënë emër të keq sportit të futbollit dhe UEFA-s në veçanti”, shkruan “Associated Press” të premten.