Skuadra e Luganos e ka humbur ndeshjen ndaj Young Boysit dhe mundësinë për t’u bërë lider i Superligës së Zvicrës. Lugano humbi në udhëtim ndaj Young Boysit me rezultatin 1:0. Jaouen Hadjam vendosi takimin e javës së 25-të të elitës së futbollit zviceran.
Ai shënoi golin e fitores për Young Boysin në minutën e 84-t. Për Luganon luajtën portieri i Kosovës, Amir Shaipi, mbrojtësi Albian Hajdari dhe Uran Bislimi. U aktivizua edhe Shkëlqim Vladi.
Kastriot Imeri i mungoi Young Boysit shkaku lëndimit.
Luganos do t’i mjaftonte edhe një pikë për të marrë kryesimin në Zvicër pas dështimit të Baselit për ta fituar ndeshjen. Baseli të shtunën luajti baras 2:2 me St. Gallenin.
Por pas disfatës që Lugano e pësoi të dielën, Baseli mbetet në krye të tabelës me 42 pikë sa ka edhe Lugano një pozitë më poshtë. 42 pikë i ka edhe Luzerni në vendin e tretë, ndërsa Young Boysi ngritët në vendin e gjashtë me 37 pikë sa ka edhe Lausanne në vendin e pestë.
Në vendin e katërt është Servette që po ashtu ka 42 pikë pas fitores ndaj Winterthurit me rezultatin 3:1. Labinot Bajrami u aktivizua në minutën e 92-të te Winterthuri.