Trajneri 62-vjeçar i Fenerbahçes, Jose Mourinho, është suspenduar të enjten me katër ndeshje pas skandalit në ndeshjen Galatasaray – Fenerbahçe që përfundoi pa gola, ka shkruar “Rai Radio1” të enjten.  

Tekniku portugez u kritikua nga Galatasaray, pasi ai kishte thënë se zyrtarët dhe lojtarët rezervistë të skuadrës së madhe turke “janë hedhur si majmunë”. 

Në fakt, Mourinho është suspenduar për dy ndeshje për shkak të deklaratave, ndërsa për dy ndeshje tjera është suspenduar pas fyerjeve në drejtim të gjyqtarit të katërt. 

“Pas ndeshjes, e falënderoj Slavko Vinçiqin për referimin e kësaj ndeshjeje të madhe. Nëse do të ishte gjyqtar turk, do të ishte katastrofë. Të gjithë në bankën e rezervistëve të Galatasarayt hidheshin si majmunë pas çdo vendimi të drejtë”, ka thënë Jose Mourinho. 

Galatasaray është lider në Superligën e Turqisë me 64 pikë, ndërsa Fenerbahçe në vendin e dytë ka 58 pikë.