(Blick) – Gjërat janë të trazuara për momentin te FC Schaffhausen. Me vetëm një fitore në dhjetë ndeshjet e fundit, Schaffhauseni është në vendin e fundit në Challenge League (kategoria e dytë e Zvicrës). Por kaosi është edhe më i madh jashtë fushës.

Schaffhauseni është duke vuajtur nga vështirësitë financiare për muaj të tërë. Të martën shefi ekzekutiv, Jimmy Berisha dhe drejtori sportiv Marc Hodel janë larguar.

Vetëm një ditë më pas liga ia mori skuadrës tri pikë për shkelje të rregullave që kanë të bëjnë me ofrimin e informatave.

Si zgjedhje e problemeve financiare, në janar u bë e ditur se një kompani e ndërtimit nga Zurichu do t’i bashkohet Schaffhausenit. Vëllezërit Fitim dhe Boletin Hasani i morën 100 për qind të aksioneve nga pronari i mëhershëm, Roland Klein. Megjithatë, transferimi zyrtar i pakos së aksioneve nuk është bërë.

Fitim Hasani, që është edhe kryetar i Bordit të Drejtorëve në Schaffhausen, ka folur për herë të parë për kaosin e madh. Po punohet shumë për të kompletuar transferimin e pakos së aksioneve, pasi për vëllezërit është shumë e rëndësishme që “të stabilizojnë financiarisht klubin dhe të krijojnë një themel të fortë për të ardhmen”.

Hasanit i vjen keq për marrjen e pikëve nga liga.

“Do të doja që argumentet tona të merreshin më shumë parasysh. Fatkeqësisht nuk ishte kështu”, ka thënë ai.

Do të shqyrtohet me sukses nëse një apel ka shanse reale për sukses. Nëse ka shanse, bërja e apelit do të shqyrtohet.

Hasani i kupton protestat gjithnjë e më masive nga tifozët e Schaffhausenit.

“E kuptoj shumë mirë. Tifozët qëndrojnë pas klubit në çdo situatë, na shoqërojnë në çdo ndeshje dhe me të drejtë kërkojnë qartësi për zhvillimet aktuale”.

Ky është një shqetësim i rëndësishëm edhe për klubin. Drejtuesit janë të gatshëm të flasin hapur me tifozët dhe t’i marrin seriozisht brengat e tyre.

Me gjithë trazirat e mëdha, Hasani është optimist për të ardhmen.

“Jam dhe mbetem optimist. Jam i bindur se situata në Schaffhausen do të stabilizohet dhe gjërat do të qetësohen së shpejti”.

Dorëheqja e Berishës dhe Hodelit është shenjë që Schaffhauseni është gati për të bërë ndryshimet e nevojshme.