Kaltrina Biqkaj i realizoi dy gola të premten në fitoren 4:0 të përfaqësueses së Kosovës në futboll ndaj Maqedonisë së Veriut. Ndeshja në Shkup ishte e para e Grupit 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Të martën Kosova luan ndaj Letonisë. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 14:00. Futbollistet e Kosovës synojnë fitore për tjetër hap gjigant drejt triumfit në Grupin 6C të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.
“Synimi është i qartë – të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka thënë Kaltrina Biqkaj, që është prej lojtareve kryesore të Kosovës.
“Fitorja në ndeshjen e parë na ka dhënë besim dhe e ka përmirësuar atmosferën në ekip. Por e dimë se në çdo ndeshje duhet të qasemi me seriozitet të madh. Është motiv shtesë që ndeshjen e luajmë në shtëpi. Do të futemi në fushë për të marrë maksimumin”, ka shtuar 24-vjeçarja.
Ajo ka më së shumti paraqitje për Kosovën, plot 56. I ka shënuar 11 gola.
Me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, Kosova i dha fund serisë së humbjeve në ndeshjet garuese. Në kualifikimet për Euro 2025 ishte në Ligën B dhe i humbi gjashtë ndeshjet në grup me Uellsin, Ukrainën e Kroacinë. Rrjedhimisht u kthye në Ligën C për edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ku ishte edhe në edicionin e parë.
“Fitorja me Maqedoninë e Veriut ka ndikuar shumë pozitivisht. Kur fiton rriten morali dhe besimi në grup. Kemi punuar shumë dhe e treguam në atë ndeshje. Gjithsesi duhet të jemi të përqendruara për sfidën e radhës”, ka shtuar Biqkaj.
Ajo thotë se Letoninë e kanë analizuar shumë mirë. Thotë se bëhet fjalë për përfaqësuese cilësore me stil unik të lojës.
“E dimë që nuk do të jetë lehtë, por kemi përgatitur strategjinë tonë për të marrë një rezultat pozitiv. Sa i takon paraqitjes personale, gjithnjë është kënaqësi të shënosh gola, por më e rëndësishmja është që ekipi të fitojë.Do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin me gola e asistime”, ka theksuar futbollistja nga Kamenica.
Ajo luajti për shumë vjet te Mitrovica, ku fitoi shumë trofe. Prej verës së vitit të kaluar është te Trabzonspori në Turqi.
“Ka qenë një hap i rëndësishëm për mua. Liga turke është e fortë dhe më ka ndihmuar të rritem si lojtare. Kam fituar përvojë edhe më të madhe dhe kam përmirësuar shumë aspekte të lojës sime”, thotë Kaltrina për transferimin në elitën turke.
Kosova ndeshje tjetër do të ketë më 8 prill, kur e pret Maqedoninë e Veriut, ndërsa këtë kampanjë e mbyll me 3 qershor në ndeshjen në udhëtim ndaj Letonisë. Por momentalisht i gjithë fokusi është që grumbullimi i shtatorit të përfundojë me gjashtë pikë të fituara.