Mallorca po planifikon që ta mbajë në skuadër edhe për disa vjet sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi. “Mundo Deportivo” ka raportuar të martën se te Mallorca janë shumë të lumtur me Muriqin, të cilin e vlerësojnë edhe lider të skuadrës.

Drejtuesit e Mallorcas kanë nisur punën për t’ia vazhduar kontratën Muriqit. Muriqi e luajti ndeshjen e 100-të me fanellën e Mallorcas në La Liga, të hënën mbrëma. Ai luajti deri në minutën e 77-të në barazimin 1:1 në udhëtim kundër Sevillas.

Kontrata aktuale e qendërsulmuesit përfundon në verën e vitit 2027. 30-vjeçari Muriqi te Mallorca u transferua në vitin 2022 nga Lazio për tetë milionë euro. Ai u bë edhe transferimi më i shtrenjtë në histori të klubit spanjoll. Muriqi po cilësohet edhe si legjendë e Mallorcas.