Vëllaznimi u eliminua nga gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës në futboll në mesjavë, por menjëherë në fundjavë ka reaguar duke fituar në Superligën e Kosovës.

Skuadra gjakovare në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, fitoi bindshëm ndaj Golden Eagle Yllit, në kuadër të xhiros së 20-të.

Vendësit triumfuan me plot 22 pikë dallim, 92:70.

Për Vëllaznimin ishte fitorja e parë në Superligë pas disfatës nga Bora në xhiron e kaluar, ndërsa Golden Eagle Ylli i drejtuar nga slloveni Alesh Pipan, e humbi ndeshjen e dytë rresht.

Vetëm pjesa e parë ishte e barabartë pasi u mbyll me rezultat 33:33.

Dallimi u bë në çerekun e tretë e të katërt, që u fituan nga vendësit 26:20 dhe 33:17.

Arian Azemi ishte koshashënuesi më i mirë në ndeshje për Vëllaznimin me 24 pikë, ndërsa shtoi edhe gjashtë kërcime e pesë asistime.

Jericole Hellems kishte një pikë më pak të realizuar, teksa pati edhe katër kërcime e pesë asistime.

Por ishte Jason Jitoboh që kishte statistikat më të mira me 14 pikë, nëntë kërcime e tri asistime.

Trey Anderson e mbylli ndeshjen me 14 pikë, 12 kërcime e katër asistime, ndërsa pikë dyshifrore kishte edhe Atik Koshi, 11 gjthsej. Ai i shtoi edhe dy kërcime.

Skuadrës suharekase nuk i ndihmoi kontributi i Gëzim Morinës, që shënoi nëntë pikë, gjashtë kërcime e një asistim dhe kishte statistikat më të mira.

Vetëm Jan Palokaj dhe William Tavares kishin pikë dyshifrore te mysafirët. Palokaj i shënoi 18 pikë, ndërsa Tavares pati 16 pikë.

Vëllaznimi e shënoi fitoren e 11-të, ndërsa ka edhe nëtë humbje. Tani i ka 31 pikë. Golden Eagle Ylli krahas tetë fitoreve, e pësoi disfatën e 12-të dhe ka 28 pikë në vendin e gjashtë.