Ndeshja e së hënës në 1/8 e finales së Kupës FA mund të jetë e para për portierin e Kosovës, Arijanet Muriq, pas një muaji.

Skuadra e Muriqit, Ipswichi, të hënën nga ora 20:30 luan në udhëtim te Nottinghami.

Portieri shtatlartë i Kosovës ndeshjen e fundit me Ipsëichin e kishte në Premier League më 1 shkurt, në disfatën në shtëpi 2:1 nga Southamptoni.

Por, trajneri i Ipswichit, Kieran McKenna ka thënë se shansi i radhës për Muriqin mund të jetë të hënën.

Por, ai ka treguar se 26-vjeçari ka lëndim në shpatull.

“Ka mundësi që ai të jetë titullar, por ka problem në shpatull për momentin, lëndim për të cilin është duke punuar për ta lënë pas. Është faktor që mund të luajë rol po ashtu. E mira është që ai po punon për të qenë i gatshëm për lojë. Do të flasim edhe me stafin mjekësor për ta parë pikëpamjen e tyre. Por, padyshim se është mundësi që ai të luajë”, ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp trajneri McKenna.

Muriq i ka zhvilluar 19 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual.

Ka pranuar 33 gola ndërsa portën e ka mbajtur të paprekur në dy ballafaqime.