Përzgjedhësi i Kosovës për futbolliste, Sami Sermaxhaj, ka thënë se u befasua nga mënyra e lojës së Letonisë. Ai shtuar se është i dëshpëruar me humbjen nga Letonia.
“Ne nuk kemi pasur mundësi të shohim një ndeshje të plotë të Letonisë. Për aq sa kemi parë, nuk kemi arritur të analizojmë në tërësi kundërshtarin. Na kanë befasuar. Në pjesën e parë u gjendëm në vështirësi, pasi Letonia luajti me topa të gjatë, ne luajtëm me topa të ulët për shkak të gjatësisë. Kur menduam të marrim lojën në dorë në pjesën e dytë, pësuam nga një kundërsulm. Na mungoi finalizimi dhe kjo humbje nuk është e vogël. Është një garë që nuk lejon gabime. Këtë gabim duhet ta përmirësojmë në dy ndeshjet e ardhshme. Duhet të përgatitemi për kundërshtar të tillë që befasojnë”, ka thënë Sermaxhaj.
Ai ka theksuar se disa lojtare nuk kanë qenë në nivelin e duhur.
“I përgëzoj vajzat për angazhimin edhe pse disa nuk ishin në nivelin që kemi pritur. Letonia ka skuadër shumë më të kompletuar se Maqedonia e Veriut. Ky është futbolli dhe ne duhet të vazhdojmë tutje. Kjo lojë ka pasur shumë rëndësi, por duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme dhe jo ta kthejmë kokën prapa”, ka theksuar ai.
E dëshpëruar me disfatën është edhe futbollistja Kaltrina Biqkaj. Por ajo thekson se Kosova nuk meritoi humbjen.
“Nuk ishte humbje e merituar. Kemi dominuar lojën, por neglizhenca jonë në disa raste na penalizoi. Pasi shënuan gol, futbollistet e Letonisë u mbyllën dhe ne kishim vështirësi për të depërtuar. Në pjesën e dytë kemi sulmuar vazhdimisht, por nëpërmjet një kundërsulmi na shënuan gol. Nuk ishim të përgatitura në situatën e golit të pësuar. Ai rast na kushtoi me humbje. Para katër ditësh fituam thellë, ndërsa sot humbëm miniamlisht. Por duhet të luftojmë dhe t’i marrim pikët maksimale”, ka thënë Biqkaj.
Me humbjen nga Letonia, Kosova rrezikon vendin e parë në Grupin 6 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Letonia është e para me tri pikë nga një ndeshje. Tri pikë nga dy ndeshje i ka edhe Kosova, kurse Maqedonia e Veriut është pa pikë në vendin e tretë.
Vendi i parë siguron direkt kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve për edicionin e ardhshëm.