Tifozët e klubit të futbollit Vushtrria, të njohur si “Forca”, kanë shpalosur një mesazh emocionues në kujtim të ish-futbollistit të kësaj skuadre, Erjon Morina, i cili ndërroi jetë më 12 dhjetor 2024.

Mesazhi i tifozëve, “Në zemrat tona jeton përherë, Vushtrria nuk të harron asnjëherë Erjon Morina”, u shfaq gjatë ndeshjes kampionale në Ligën e Parë mes Vushtrrisë dhe Vjosës.

Futbollisti 22-vjeçar kishte pësuar arrest kardiak gjatë stërvitjeve me skuadrën. Rreth një muaj kishte luftuar për jetë në Klinikën Intensive. 

Ndeshja përfundoi me fitoren bindëse të Vushtrrisë me rezultat 3:0. Golin e parë e shënoi Bujar Shabani në minutën e dytë, ndërsa dy golat e tjerë i realizoi Viktor Angelov.

Pas kësaj fitoreje, Vushtrria pozicionohet në vendin e dytë në tabelën e Grupit B në Ligën e Parë, duke vazhduar luftën për tu kthyer në elitë.