Policia e Kosovës i ka arrestuar tre persona nën dyshimin se janë përfshirë në incidentin që ka ndodhur pas ndeshjes Liria – Vëllaznimi, e luajtur të dielën në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Të arrestuarit janë dërguar në ndalim prej 48 orëve.

Ndeshjen derbi të javës së 16-të të Grupit A të Ligës së Parë e fitoi Liria me rezultat 1:0.

“Tre të dyshuar janë identifikuar dhe janë arrestuar me vendim të prokurorit kujdestar. Pas intervistimit, janë ndalur për 48 orë në ndalim policor”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi të hënën për KOHËN.

Nga incizimet që janë shpërndarë në rrjetet sociale është parë se disa tifozë të ekipit prizrenas kanë hyrë në fushë dhe kanë hedhur gjësende në drejtim të përkrahësve të Vëllaznimit. Në të njëjtën formë reaguan edhe disa tifozë gjakovarë. Pati edhe hedhje të shkopinjve nga tribunat.

Janë përfshirë edhe lojtarët, në veçanti ata të Vëllaznimit. Shihet një lojtar i Vëllaznimit që tenton ta godasë njërin prej tifozëve prizrenas që kishte hyrë në fushë. Janë parë edhe shumë zyrtarë e po ashtu pjesëtarë të policisë që tentuan të largojnë tifozët nga fusha.

Me reagim të dielën mbrëma doli klubi gjakovar e po ashtu edhe nikoqirja, Liria.