Mbrojtësi i djathtë i Kosovës që aktivizohet te skuadra e Alanyasporit të elitës së futbollit të Turqisë, Florent Hadërgjonaj, e ka shënuar penalltinë e katërt të edicionit aktual. Për 30-vjeçarin ishte goli i tretë në Superligën e Turqisë, ndërsa një tjetër e ka në Kupë.
Hadërgjonaj të dielën shënoi në fitoren 3:2 të skuadrës së tij në shtëpi ndaj Adana Demirsporit, skuadrës së fundit në tabelë.
Sulmuesi që u lind në Stamboll e që ka 11 paraqitje me U21 të Shqipërisë, Arda Kurtulan, shënoi autogol për rezultatin 2:1, në minutën e 63-të.
Hadërgjonaj e barazoi rezultatin në 2:2 pesë minuta më vonë, kur tregoi saktësi nga pika e bardhë.
Vendësit e shënuan edhe një tjetër gol në minutën e 90-të për fitoren e vështirë por të rëndësishme.
Hadërgjonaj u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 96-të, dhe do të mungojë në ndeshjen tjetër.
Fidan Aliti luajti në tërë ndeshjen tek Alanyaspori.
Alanyaspori ka 31 pikë në mesin e tabelës, teksa Adana Demirspori pas 24 ballafaqimeve të luajtura ka fituar vetëm tri pikë.