Sulmuesi i krahut, Bernard Berisha, u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes Akhmat Grozny – Krasnordar, e vlefshme për Kupë të Rusisë. Berisha të martën shënoi golat e fitores 2:1 të Akhmat Groznyt.

Berisha u aktivizua në lojë në minutën e 63-të, ndërsa shënoi në minutën e 66-të e më pas edhe në minutën e 72-të nga penalltia.

Ai është i kënaqur me kthimin e fuqishëm nga lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushës.

“Falënderimi i takon Zotit, pas gjashtë muajsh u ktheva. Gjithçka shkoi mirë, ne fituam, unë shënova dy gola. Falënderoj të plotfuqishmin për këtë, kam pasur një lëndim shumë të rëndë. Por kur beson gjithçka është e mundur. I plotfuqishmi më dha këta dy gola për ekipin”, ka thënë Berisha në një intervistë për faqen e klubit nga Çeçenia.

Berisha nuk kishte luajtur që nga 24 gushti i vitit të kaluar për shkak të një lëndimi në tendinë.

“Sa herë që jam gati, përpiqem të bëj më të mirën për ekipin. Më herët në kampin përgatitor fola me presidentin e klubit dhe i thashë se po bëj gjithçka që të kthehem në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur. Një fitore e domosdoshme. Duhet të vazhdojmë në të njëjtën frymë”, është shprehur Berisha.

Ai ka falënderuar edhe përkrahjen e shikuesve. Premton tjera ndeshje të mëdha.

Berisha 33-vjeçar te skuadra Akhmat Grozny është prej vitit 2017. Ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.

Ai ka luajtur 25 ndeshje për Kosovën.